Wolff: Ndjesë ndaj Hamilton, kaq na mbetet

E publikuar: 26/05/2015 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ajo që ndodhi në garën e Monacos ishte një nga gafat më të mëdha strategjike. Te Mercedesi kërkojnë fajtorin, edhe pse e pranojnë se nuk mbetet gjë tjetër, veçse t’i kërkohet falje britanikut Lewis Hamilton për atë fitore të mohuar. E thotë këtë bosi i skuadrës, Toto Wolff, në një kohë kur i gjithë stafi i Mercedes po kalon në skaner për të evituar përsëritjen e një gafe të tillë që nuk i shkon aspak për shtat kampionëve që kërkojnë konfirmimin edhe këtë sezon.

“E kemi diskutuar në vija të përgjithshme dhe do ta analizojmë situatën për të marrë vesh se ku çalon sistemi. Fitojmë dhe humbasim si skuadër. I kam kërkuar ndjesë pilotit britanik dhe ndoshta kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë. Hamilton është një pilot i madh dhe unë besoj se ai e kupton se gabime të tilla mund të ndodhin”.

Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në vitin 1998, kur McLaren i kërkoi më pas David Coulthard që t’i hapte rrugën shokut të skuadrës Mika Hakkinen. Drejtuesi austriak i Mercedes u pyet nëse në të ardhmen mund të ndodhë diçka e tillë, por pa u menduar dy herë, Wolff tha se kjo as që mund të mendohet e jo më të ndodhë./ss/