Windows 10 do të instalohet automatikisht

E publikuar: 02/11/2015 01:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Microsoft do të përditësojë automatikisht pajisjet me versionin e saj të fundit të softuerit Windows. Kompania njoftoi se duke filluar nga viti i ardhshëm do të shkarkojë dhe instalojë automatikisht Windows 10 tek pajisjet që përdorin Windows 7 dhe 8.

“Qëllimi ynë është që klientët të zgjedhin Windows-in dhe ta duan atë,” shkroi kompania në një postim në blogun e saj, ku edhe njoftoi për këtë vendim të ri.

Fillimisht Windows 10 do të ofrohet si një “përditësim jo i detyrueshëm”. Pastaj, duke filluar nga viti i ardhshëm, gjiganti softuerik do të ofrojë Windows 10 si një “përditësim të rekomandueshëm” për të gjithë klientët që përdorin Windows 7 dhe Windows 8.1.

Nëse nuk bëni ndryshime tek konfigurimet, atëherë pajisja juaj do të përditësohet automatikisht me Windows 10. Para se të ndryshojë sistemi operativ tek pajisja juaj, ju duhet të zgjidhni nëse doni të vazhdojë përditësimi apo jo.

Nëse zgjidhni që pajisja të përditësohet, atëherë ju do të keni 31 ditë në dispozicion që të ktheni pajisjen tuaj me versionin e mëparshëm Windows, nëse nuk ju pëlqen i riu. Microsoft shpreson që Windows 10 të rrisë besueshmërinë tek përdoruesit, të cilët po përdorin gjithmonë e më shumë tabletët, telefonat inteligjentë dhe pajisjet e tjera elektronike.