Wilson: Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës

E publikuar: 03/08/2019 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, beson se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Me liderët politikë me vizion dhe mbështetje të koordinuar nga Amerika dhe Evropa, tani ekziston shansi historik që Serbia dhe Kosova të arrijnë marrëveshje”, ka thënë Wilson për “Zërin e Amerikës”, edicioni në gjuhën serbe.

Ai shton se do të ishte më mirë që çështja të zgjidhet para se Amerika të hyjë në zgjedhje të reja.

Wilson thotë se zgjidhja mes Kosovës e Serbisë duhet të vijë shpejt, ndonëse thotë se s’ka ndonjë afat.

“Ekziston shansi historik, ka liderë politikë që kanë vizion që ta bëjnë këtë dhe e kuptojnë se sa e rëndësishme është, kemi edhe mbështetjen e koordinuar nga Evropa e Washingtoni, madje edhe kur ka dallime, por në nivelin strategjik, SHBA-ja dhe BE-ja këtu dëshirojnë që të ndihmojnë. Tani është momenti, sepse të gjithë hyjnë në procese zgjedhore, të gjithë dëshirojnë të përmbyllin këtë para se vëmendja të kthehet në zgjedhje”, deklaroi Wilson, transmeton Koha.net.

I pyetur nëse Serbia do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës, nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, tha se “besoj që po”.

“Por kjo s’do të ndodhë ‘veç hajt’. Ajo duhet të jetë pjesë e pakos që i përgjigjet edhe Serbisë. Ky është një rast për Serbinë që ta zhvillojë ekonominë e saj, ta përmirësojë potencialin e fuqisë punëtore dhe të mundësojë të ardhme më të mirë për ata që dëshirojnë të jetojnë në vendin e tyre dhe kështu do të përshpejtohet rruga drejt BE-së. Të mos jetë e mbërthyer krejtësisht politikisht në çështjen e Kosovës, por të orientohet drejt përgatitjes së vendit për pjesëmarrje në ekonominë globale. Mendoj se liderët serbë e kuptojnë se është në interesin e Serbisë që të mos lë plagë të hapura, por të arrijë pajtim dhe normalizim dhe të mendojë për të ardhmen e vet. Ky është një rast për Serbinë që të përqendrohet në të ardhmen, por kërkon që tani të marrë vendime të mëdha në raport me Kosovën. Dhe në kalendarin e tanishëm politik ekziston mundësia për këtë”, u shpreh ai.

Ai shprehet se qeveria aktuale serbe është në gjendje të marrë përgjegjësinë për vendimin historik të njohjes së Kosovës pasi që thotë se “liderët qartazi kanë bërë me dije se ky është momenti i duhur që kjo të mund të bëhet dhe që marrëveshja të jetë e mirë”.

“Nuk ka dyshim se tarifat e Kosovës kanë ndërprerë shumëçka, dhe kështu jemi kthyer në status-quo. Tarifat duhet të hiqen, dhe duhet ndalur tentimet agresive që të pengohen njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimet e saj në në organizata ndërkombëtare”, thotë ai, ndërsa shton se “duhet të ndodh ‘fikja diplomatike e zjarrit’ dhe të përqendrohemi në çështje serioze për pajtim të ndërsjellë në tavolinën e bisedimeve”.

“Nëse mendoni vetëm në atë se cili është çmimi (i njohjes së pavarësisë së Kosovës), çka mund t’ japë Serbia Kosovës apo anasjelltas, kjo ka pak rëndësi, janë thërrmija. Torta bëhet gjithnjë e më e vogël nëse s’ka pajtim, ekonomia stagnon përderisa s’ka perspektivë të qartë për BE. Ajo tortë zvogëlohet derisa ziheni se kush sa do të marrë. Qëllimi është që të bëhet një tortë më e madhe dhe që të dyja palët të marrin pjesë të mirë të saj ku do t’i përfshini edhe investimet e BE-së, planet infrastrukturore, mbështetjen e SHBA-së ndaj biznesit privat. Të lejoni Amerikën të jetë pjesë e krijimit të një panorame të sigurisë në rajon, por edhe për serbët që mbesin të jetojnë në Kosovë. Mendoj se presidenti (serb) Vuçiq sinqerisht u ka thënë qytetarëve se cili është çmimi i status-quos, ndërsa tani është rasti që të flitet se çfarë mund të arrihet me marrëveshje – dhe jo vetëm në atë se çfarë do të ofrojë Kosova, por edhe për mundësitë që kthehen në realitet – investimet e jashtme, anëtarësimi në BE, pajtimi historik me SHBA-në. Është një vizion i madh që do të doja ta pranonin liderët serbë”, theksoi Damon Wilson.

Sipas tij, nëse Vuçiqi do të ishte politikani që do të njihte pavarësinë e Kosovës, ai do të mbijetonte politikisht.

Thotë po ashtu se presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Thaçi e Vuçiq, kanë shënuar progres të madh dhe se janë afër marrëveshjes.

“Kanë punuar në gjëra të rëndësishme dhe u lumtë, sikurse edhe ekipit të Federica Mogherinit. Është bërë shumë, puna nuk nis nga fillimi, por nuk do të thotë se kemi marrëveshje, e as që e ka bllokuar Merkeli. Nuk kemi kryer punë ende. Marrëveshja është dakordësim dhe duhet të jetë diçka që e mbështesin të dyja palët, që i mbështesin edhe qeveritë e tyre, që doli të ishte sfidë për Kosovën. Por duhet edhe të fitojnë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, dhe kështu ende s’kemi marrëveshje”, tha ai, duke përfunduar se “liderët e Serbisë dhe të Kosovës kanë bërë mjaft punë, dhe duhet t’u japim atyre një nxitje që të vijnë deri tek marrëveshja”.