Wilder – Fury, shuma marramendëse që do të fitojnë dy yjet e kategorisë së rëndë

E publikuar: 01/12/2018 14:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deontay Wilder dhe Tyson Fury do të përballen mëngjesin e të dielës në atë që është përballja më e rëndësishme e këtij viti në boks.

Boksieri 30 vjeçar nga Britania e Madhe ka arritur dy fitore rresht ndaj shqiptarit Sefer Seferi dhe më pas ndaj Francesco Pianetas. Ai kështu shënoi rikthimin pasi ishte kampion absolut në vitin 2015.

Deontay Wilder duket i fokusuar para duelit të madh, Foto: Jayne Kamin-Oncea/Getty Images/Guliver

Fury përballet ndaj Wilderit i cili po ashtu nuk ka asnjë humbje në karrierë. Ndërkaq, për Furyn ky do të jetë udhëtimi i parë jashtë Britanisë së Madhe që nga viti 2013.

Besohet se Wilder do të përfitojë 14 milionë dollarë, ndërkaq Fury do të përfitoj 10 milionë dollarë.

Nëse Fury është i sukseshëm në misionin e tij për të arritur titullin e WBC, atëherë ai do të përballet me Anthony Joshuan më 13 prill të vitit 2019, në një super duel për unifikim të titujve. E njëjta do të ndodhte edhe nëse “Bombarduesin e Bronztë” nëse fiton.

Tyson Furry krenar me transformimin e tij, Foto: Harry How/Getty Images/Guliver

Fury ka angazhuar së fundmi trajnerin Freddy Roach, i cili ka punuar me tetë herë kampionin Manny Pacquiao për 20 vjet, për të punuar në lëvizjet e tij në këndet e ringut, e bashkë me të ka qenë edhe trajneri Ben Davison.

Pasi kompletoi stërvitjet në lartësi të madhe mbidetare në palestrën Big Bear në Kaliforni, Fury u kthye në Hollywood për të punuar për duelin e madh.

Ndërkaq, Wilder ka punuar po ashtu intensivisht dhe ka qenë i zëshëm duke paralajmëruar një nokaut brutal për kundërshtarin e tij. /Telegrafi/