Weber: Për ta kthyer besimin e humbur në Kosovë, BE-ja urgjentisht duhet t’ua heq vizat kosovarëve

E publikuar: 03/04/2020 21:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

BE-ja nuk ka arritur të ketë qëndrim të përbashkët për heqjen e vizave për Kosovën. Kjo bën që nga perspektiva e Kosovës, BE-ja të mos shihet si dikush që kryen punë.

Analisti gjerman, bashkëpunëtor i lartë pranë Këshillit për Politikë të Demokratizimit, me seli në Berlin, Bodo Weber, thotë se çështja e liberalizimit të vizave është “është çështja më urgjente” e BE-së.

“Nëse BE-ja e ka bile intencën që të mësojë diçka nga ajo që ka ndodhur javën e shkuar në Kosovë, gjënë e parë që duhet ta bëjë për ta kthyer besimin, duke nisur nga Qeveria gjermane, e më pas francezët dhe të tjerët që ta japin të gjelbrën për liberalizim tash, edhe pse me mbylljen e kufijve tani, nuk do të jetë e zbatueshme, porse askush nuk do ta marrë BE-në seriozisht po qe se nuk e miraton liberalizimin”, deklaron Weber në emisionin DESKU të KTV-së, ndërsa shton se nëse Bashkimi Evropian nisë të kërkojë që ta ketë rolin udhëheqës në procesin e ngrirë të dialogut, “nuk ka kurrfarë kuptimi pa liberalizim”.

Bodo Weber thotë se tashmë është bërë dëm në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, por thekson se ekziston mënyra për ta kthyer udhëheqjen.

Sipas tij, kancelarja gjermane, Angela Merkel duhet ta bind qeverinë e saj që ta miratojë liberalizimin e vizave, e më pas t’i kontaktojë kolegët nga shtetet kyçe dhe të ketë paraqitje më të shpeshta për temën e dialogut.

“Gjithashtu mund të flasë edhe për krizën politike që po e rrezikon menaxhimin e krizës me virusin në Kosovë. BE-ja mund të kthehet e të insistojë të gjinden zgjidhjet për krizën politike që mbështeten mbi Kushtetutën dhe sundimin e ligjit, porse nëse mëton ta kthejë kredibilitetin e saj e që ndërkohë të mos e bëjë liberalizimin e vizave, është punë që s’bëhet. Lëvizja duhet të ndërmerret për liberalizim, e më pas krejt tjerat do të mund të bëhen”, potencoi në fund të kësaj interviste, analisti gjerman, Bodo Weber. 20:20

Weber: T’u bëhet e qartë Thaçit e Vuçiqit – s’ka perspektivë evropiane nëse thoni se duhet harruar BE-në

Duke qenë se shumica e partive politike dhe e liderëve në vend thonë se pa pjesëmarrjen amerikane në dialog, nuk ka gjasa që të arrihet gjë përfundimtare, analisti gjerman, Bodo Weber, në një intervistë për emisionin DESKU në KTV, thotë se kjo çështje duhet shikuar nga dy kënde.

“Nga këndi kosovar, natyrisht, për politikën kosovare, së cilës nuk mund t’i them se çfarë duhet bërë, është vështirë ta kesh një pozicion të pavarur kur e ke një konflikt transatlantik. Askush nuk i ndal politikanët kosovarë ta mbajnë pozicionin e vet për ta mbrojtur integritetin territorial dhe interesin kombëtar, pavarësisht a është qasje kritike ndaj SHBA-së dhe BE-së, porse kemi nevojë bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së. Tash nuk e kemi. E kemi SHBA-në duke ia futur thikën në shpinë BE-së. Vetëm kujtojeni deklaratën e përbashkët të Kuintit më 24 mars dhe më pas deklaratën e Kosnettit me qëndrim të kundërt. Tash SHBA-ja ka nis luftën për ta marrë dialogun duke e dëmtuar dialogun dhe ne, pra BE-ja, nuk po i futet asaj lufte”, shprehet analisti gjerman.

Ai thotë se dialogu mes dy vendeve ka pësuar vdekje klinike në 18 muajt e fundit “sepse Evropa nuk është angazhuar shumë”.

“E keni parë se me thirrjet e znj. Merkel me kryetarin Vuçiq se nëse ka bile pak lidership nga BE-ja apo brenda BE-së, atëherë mund t’i zhbllokoni gjërat. Si te rasti i tarifave dhe pengesave tregtare. Prandaj jam i bindur se nëse BE-ja e pranon konfrontimin me SHBA-në dhe ngul këmbë për t’i thënë z. Thaçi, ‘nëse thoni se duhet harruar BE-në’ atëherë duhet t’ua shpjegoni elitës dhe popullit se nuk do të ketë më perspektivë evropiane për anëtarësim në BE për Kosovën. E njëjta vlen edhe për Serbinë, kur Vuçiqi mes krizës së koronës thotë mos ia varni veshin Evropës, se nuk po na ndihmon, pra po i kthehemi Kinës, edhe këtu BE-ja duhet të jetë shumë e qartë e t’i thotë se me këtë s’ka perspektivë anëtarësimi në BE dhe se kjo punë ngre pasoja”, thekson Weber.

Analisti gjerman thotë se po qe se BE-ja vjen në vete dhe i qaset seriozisht problemit, atëherë “asnjë performancë e dëmshme amerikane s’do të mund t’ia merrte rolin udhëheqës në dialog, përderisa do të ketë mundësi që të arrihet një marrëveshje mes BE-së dhe SHBA-së, ashtu që SHBA-ja të jetë pjesë e procesit”.

Gjithashtu, Weber thotë se nëse Grenelli do që të promovojë ekonominë, “është më se i mirëseardhur që t’i bashkojë forcat me BE-në dhe të fokusohet në aspektet ekonomike, por përbrenda një procesi politik të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.

“E atëherë SHBA-ja do të jetë me një tavolinë me Brukselin, ashtu siç ka qenë përherë. Por kjo ka qenë në kohën kur BE-ja e pa pasur një pozicion, kur kishte strategji fillestare, e jo të mos ketë bashkim si në kohën e Mogherinit, e më pas duke mos pasur qartësi e as qëndrim duke e lejuar z. Grenell të veprojë me javë e muaj para se të dilnin me qëndrim të përbashkët francezo-gjerman”, ka theksuar analisti gjerman, Bodo Weber.

Image

 20:15

Weber: Kosova e Serbia nuk synojnë anëtarësim në SHBA, prandaj BE-ja duhet t’i udhëheqë negociatat

Bodo Weber, analisti gjerman dhe bashkëpunëtor i lartë pranë Këshillit për Politikë të Demokratizimit, me seli në Berlin, në emisionin DESKU të KTV-së, ka komentuar edhe emërimin e emisarit të ri për bisedimet Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçakun.

Ai thotë ta ketë kritikuar emërimin e tij edhe më parë, bashkë me kolegë të tij, dhe thotë se argumenti më i rëndësishëm në kritikë e tij është se së pari u emërua Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, një ish-ministër i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell, e më pas Lajçaku, një ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, vende këto të BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Ai thotë kjo tregon se ka lidership të pamjaftueshëm evropian në çështjen e negociatave Kosovë-Serbi.

“Është një argument më i rëndësishëm, që për fat të keq duhet ta bëj nga pikëpamja proevropiane… Çfarë mund të identifikohet pas gjithë kësaj procedure, ku së pari emërohet Borrelli e më pas Lajçaku, është se ka lidership të pamjaftueshëm evropian në këtë çështje të negociatave, për më tepër për rinisjen e negociatave mbështetur mbi mësimet e mësuara të dy vjetëve të negociatave të udhëhequra keq për shkëmbime të rrezikshme territoresh”, deklaron Weber.

Thotë se kritika duhet ndarë në dysh: ndaj SHBA-së, nga njëra anë, dhe ndaj BE-së, në anën tjetër.

“Ndaj SHBA-së, që po sillet në formë proaktive, por edhe të rrezikshme dhe destruktive ndaj BE-së dhe aktorëve të BE-së që kanë qenë tepër pasivë duke mos marrë mbi vete lidershipin dhe duke mos qenë mjaft kërkues për ta marrë udhëheqjen e negociatave që mund të udhëhiqen vetëm nga BE-ja. Siç e kam thënë shumë herë, leva e këtyre negociatave ka aspirata të Serbisë për anëtarësim në BE sepse as Kosova e as Serbia nuk aspirojnë të bëhen shteti i 51-të i SHBA-së, prandaj, me gjithë këtë BE të dobët, SHBA-ja nuk mund ta zëvendësojë BE-në në negociata. Pavarësisht se çfarë bën ose jo BE-ja, apo çfarë bën ose jo SHBA-ja, ky proces do të kthehet në BE. Në këtë drejtim, BE-ja nuk ka treguar lidership dhe kur e nisi, ta zëmë, me dy video konferenca të kancelares Merkel me Vuçiqin dhe Kurtin, kjo tregoi se BE-ja mund të arrijë përparime sepse duhet pasur parasysh se Vuçiqi, për herë të parë pas një viti, dëshmoi se kishte gatishmëri për kompromis për punën e tarifës, porse tashmë ishte vonë”, u shpreh analisti gjerman.

Ai shton se BE-ja duhet ta marrë udhëheqjen dhe të mësojë nga kjo dhe për BE-në është e domosdoshme që ta mënjanojë dëmin që ia ka bërë kredibilitetit të vet për shkak të mosveprimit.

“Duhet t’ia nisë me marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave edhe nëse nuk mund të zbatohet për shkak të koronës”, u shpreh Weber.