Wagner dëshiron të kthehet te Bayerni

E publikuar: 17/11/2017 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skuadra gjermane, Hoffenhaimi konfirmon dëshirën e Sandro Wagner për t’u rikthyer tek Bayern Munichu.

Sulmuesi gjerman e ka nisur karrierën e tij tek bavarezët, në ekipin e të rinjve dhe pas më shumë se një dekade, dëshiron të kthehet të klubi i tij i parë.

Duke mos pasur mundësinë të ishte pjesë e ekipit të parë të bavarezëve, në vitin 2008 ai u transferua tek Duisburg, për të vazhduar më pas karrierën e tij në disa klube të kampionatit gjerman, përpara se të firmoste me Hoffenheimin, në 2016-ën.

Dëshirën e futbollistit 29-vjeçar për t’u kthyer në qytetit e lindjes, e konfirmoi trajneri i bardhebluve, Julian Nagelsmann, i cili sezonin e kaluar e cilësoi Wagnerin si një prej lojtarëve kyç në arritjen e vendit të katërt në Bundesligë, përcjell SS.

Falë paraqitjeve me Hoffenheimin, Wagner debutoi dhe me kombëtaren e Gjermanisë, me të cilën në shtatë ndeshje ka realizuar pesë gola.

Gjithsesi, Nagelsman ka theksuar se përveç dëshirës së 29-vjeçarit, për t’u rikthyer te bavarezët, nuk ka asnjë lëvizje konkrete nga ana e kampionëve të Gjermanisë.

Ai shtoi se mosha e lojtarit mund të jetë një problem për realizimin e këtij transferimi, duke marrë parasysh rastin e lojtarëve të mëdhenj, si Ribery, të cilët pavarësisht kontributit të dhënë, nuk janë më të preferuar te Bayerni, pikërisht për shkak se janë në fundin e karrierës së tyre.