VV i përgjigjet LDK-së për postin e Kryeministrit

E publikuar: 30/08/2017 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Pantina i është përgjigjur deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Ramiz Kelmendit, i cili tha se me VV-në nuk do të ketë asnjë lloj marrëveshjeje nëse postin për kryeministër nuk do ta ketë LDK-ja.

Sipas Pantinës, është ende herët të bisedohet për ndarje të posteve dhe kjo deklaratë e Kelmendit ndoshta nuk e pasqyron qëndrimin LAA-së.

“Ne ende nuk kemi ardhur në fazën kur do të diskutonim për ndarjen e posteve, me LDK-në kemi pasur takime vetëm për fazën programore, mirëpo besoj që janë njerëz tjerë që flasin për qëndrimin e LAA-së, dhe ky mund të jetë ndoshta vetëm mendim i Ramiz Kelemendit”, tha Pantina në një deklaratë për Gazeta Blic.

Pantina theksoi se ishin të parët zyrtarët e LDK-së që u shprehen të gatshëm që të lidhin koalicion me Vetëvendosjen.

“Para zgjedhjeve ka pasur tentativa për të bërë një koalicionin parazgjedhor LDK-VV, e veçanërisht nga ata të LDK-së, pasi PAN-i ishte bërë bashkë, ishin ata të LDK-së që deklaruan se kryeministri duhet t’i takojë atyre që marrin më së shumti vota, dhe mendoj që ky është një parim i drejtë”, u shpreh Pantina.

Më tej Pantina vlerëson se vetëm Vetëvendosja mund t’i sjellë ndryshimet e domosdoshme këtij vendi, sepse LDK e ka dëshmuar më herët se nuk mundet e vetme.

“Duke pasur parasysh të kaluarën e LDK-së në qeverisje, e kemi parë që LDK nuk mundet t’i sjellë ndryshimet e nevojshme që i duhen vendit, LDK ishte edhe në koalicion me PDK-në por nuk ka pasur ndonjë ndryshim substancial, por vetëm ngecje në shumë procese. Ndryshimet e domosdoshme në vend mundet t’i bëjë vetëm Vetëvendosja”, tha ajo.

Pantina kujtoj edhe një herë se Vetëvendosje mbetet e vendosur sa i përket postit të kryeministrit.

“Ne në Vetëvendosje kemi një vendim të Këshillit të Përgjithshëm dhe ai vendim është që Albin Kurti të jetë kryeministër sepse është personi më i votuar në zgjedhjet e qershorit”, përfundoi Pantina.