VV: Orkestrimi i tenderëve nga Imri Ahmeti

E publikuar: 25/04/2015 19:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëvendosje: Lypjan, korrupsioni që fshihet në tenderët për rrethojat dhe riparimet e shkollave.
Sipas Vetëvendosje, në zgjedhjet e fundit, qytetarët e Komunës së Lypjanit të lodhur nga keqqeverisja e përjashtimi që u kishte bërë qeverisja e kaluar, ishin të vendosur që të ndëshkojnë atë, pa u hamendësuar se qeverisja që do të vinte, do të ishte vazhdimësia më besnike e qeverisjes së kaluar.

“Pikërisht në emër të luftës kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe favorizimit të militantëve partiak dhe kompanive të partisë, si dhe për shkak të zhgënjimit, qytetarët kishin votuar Imri Ahmetin për Kryetar të Komunës së Lypjanit”.

“Megjithëkëtë, Imri Ahmeti brenda natës përmbyti “betimin” e tij “para ligjit dhe zotit” për të zëvendësuar atë me shkelje të ligjit dhe vazhdim të korrupsionit. Sot, me qeverisjen e tij më tepër mund të konsiderohet si faza përfundimtare e qeverisjes së Shukri Bujes, sesa një qeverisje tjetër, e aq më pak në interes të qytetarëve”.

Sipas VV’së, brenda kësaj periudhe të qeverisjes së tij, qytetarët e Lypjanit janë dëshmitarë sikurse edhe kanë pësuar nga politikat diskriminuese të Imri Ahmetit, favorizimit të militantëve partiakë dhe familjarëve në punësime, shpërblimi i kompanive që kanë financuar fushatën parazgjedhor, mungesa e transparencës dhe menaxhimi i dobët me asetet dhe buxhetin e Komunës.

“Orkestrimi i tenderëve dhe shpërblimi i kompanive të partisë, ishte karakteristika e qeverisjes së kaluar, por ky po bëhet tipari përcaktues edhe i qeverisjes së Imri Ahmetit. Një përpjekje e radhës, por e lënë përgjysmë nga Agjencia për Antikorrupcion, bëri të dështojnë dy tenderë të destinuar qartazi për të favorizuar kompani të caktuara, qoftë edhe në dëm të buxhetit të institucionit. Fjala është për tenderët për “rregullimin e rrethojave të shkollave” dhe tenderët “Riparimi dhe meremetimi i shkollave””, vlerëson Vetëvendosje.

“Si kurrë më parë dhe ashiqare për qëllime përfitimi, administrata e Imri Ahmetit e kishte ndarë tenderin për rregullimin e rrethojave të shkollave në pesë loto. Ani pse, natyra e punës ishte e njëjtë dhe kërkesat për operatorin do të duhej të ishin të njëjta. Ata, duke e ndarë në pesë loto dhe duke ja kufizuar kundërligjshëm operatorëve të drejtën e aplikimit në më shumë se dy loto, kishin për qëllim të ravijëzojnë rrugën e orkestruar paraprakisht për përzgjedhjen e kompanive të afërta me zyrtarët komunal dhe partitë në pushtet, duke shkelur ligjet e Republikës së Kosovës dhe duke e dëmtuar buxhetin e komunës përmes përzgjedhjes të disa kompanive për të njëjtën punë, kur dihet që nëse do të përzgjedhej një operator i vetëm, çmimi do të ishte dukshëm më i ulët”.

Për më keq, VV konstaton se tenderi përfshinte rregullimin e rrethojave edhe të shkollave të cilat tanimë i kishin të rregulluara, siç është Shkolla e Mesme e Ulët “MIGJENI” në Rufc të Ri, rrethojat e së cilës janë vendosur vetëm disa vite më parë.

“Një përpjekje e pastër korruptive e Komunës së Lypjanit, fatmirësisht është ndalur në mes të rrugës nga Agjencia Kundër Korrupsionit, por pyetja që me të drejtë duhet të shtrojmë si qytetarë të Lypjanit është se: Sa tenderë të tillë të kundërligjshëm kanë shkuar deri më tani në mungesë të zbardhjes dhe denoncimit të tyre? Në anën tjetër, përkundër gjetjeve konkrete të shkeljeve të ligjeve dhe elementeve korruptive, Kryetari i Komunës së Lypjanit, nuk ka ndërmarrë as më të voglin veprim për të shmangur apo eliminuar këto shkelje, edhe pse një gjë e tillë i kërkohet edhe nga vetë Agjencia Kundër Korrupsionit”. /Politiko.net