VV: Një vit qeverisje nga një kryetar i dënuar

E publikuar: 13/03/2015 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot më 13 mars bëhen një vit që nga shpallja e vendimit të gjykatës për dënimin e Ramadan Mujës. Me këtë rast, aktivistët e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren organizuan një aksion simbolik, me ç’rast e shpalosën një pano para hyrjes së Kuvendit komunal të Prizrenit, ku shkruante: “Këtu qeverisë një kryetar i dënuar”.

Me këtë rast, këshilltarja komunale, drita Millaku tha se pavarësisht se Ramadan Muja është dënuar që 1 vit dhe zvarritjes që po bëhet në Gjykatën e Apelit, ai po vazhdon ta ushtrojë detyrën thuajse asgjë s’ka ndodhur.
Ai e vuri në theks se organet e drejtësisë po funksionojnë me standarde të dyfishta dhe në mënyrë selektive dhe nuk po ndajnë drejtësi për abuzimet e pushtetarëve, kurse në rastet e procedimit të lëndëve ndaj aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë superproduktiv, si në kohë, ashtu edhe në procedura. Kjo flet qartë për kapjen e tyre nga krimi, tha Millaku.

“Sot në Komunën e Prizrenit kemi pushtetin më të diskredituar dhe më të korruptuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kemi pushtetarë që më shumë kohë kalojnë nëpër korridoret e Prokurorisë dhe Gjykatave se sa në vendet e tyre të punës. Krejt kjo është si rezultat i mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë dhe kontaminimin e saj me elemente të krimit dhe kriminalitetit”, tha ajo.

“Sundimi i rendit dhe ligjit mbetet farsë për aq kohë sa kemi zyrtarë të dënuar që ushtrojnë funksione publike. Vazhdimi i qëndrimit te Ramadan Mujës në pozitën e kryetarit te komunës është shumë i dëmshëm për demokracinë, shtetin ligjor dhe paraqet arsyen kryesore të mosbesimit të qytetarëve në pushtetin lokal dhe kredibilitetin të ulët të organeve të drejtësisë,” përfundoi Drita Millaku. /Indeksonline/