VV e quan RTK’në të Pronto’s, i luten Ridvan Berishës t’i ftojë në emision

E publikuar: 01/10/2016 13:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtuesi i “Debat’it” në RTK1, Ridvan Berisha sërish ka refuzuar ta ftojë në emisionin e tij kreun e Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Këtë e ka bërë të ditur VV’ja përmes një njoftimi për media që sipas tyre ky televizion publik hapësirë iu jep vetëm krerëve të shtetit, të ardhur nga koalicioni PDK-LDK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa.

Ridvan Berisha edhe javë më parë ka refuzuar ta ketë në emision Visar Ymerin, përkundër se partia e tij e tij i është lutur që t’i kushtojë hapësirë, shkruan Gazeta Express.

Refuzimet e Berishës për kreun e VV’së vijnë pas deklarimeve të fundit dhe nxitjes së urrejtjes ndaj RTK’së nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte deklaruar vetë drejtuesi i emisionit ‘Debati’. Për arsyeje të ngjashme ka ndodhur edhe mbrëmë, ka bërë të ditur VV.

Ky është njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje: 

RTK-ja INSISTON NË PRIVATIZIMIN E HAPËSIRËS MEDIALE

Udhëheqësi i emisionit në RTK 1, Ridvan Berisha në një komunikim me zyrtaren për media në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Tinka Kurti, ka thënë se refuzon ta intervistojë kryetarin Visar Ymeri për shkak të komunikatës së mbrëmshme të Lëvizjes, në të cilën tregohet se kjo intervistë ende nuk është kryer pavarësisht të dakordimit të më shumë së një muaji.

Një vendim i tillë, flet për mendje privatizuese brenda RTK-së, e cila nuk guxon assesi të ndodhë në një medium publik. Z. Berisha po sillet si shërbyes të pushtetit duke e përjashtuar prezantimin e opozitës nga një hapësirë publike e cila i takon.

Arsyetimi se komunikata e Lëvizjes është pengesë për ta realizuar intervistën nuk qëndron. Nuk mundet një medium publik i cili në natyrën e tij të punës e ka fjalën dhe duhet të punojë për lirinë e shprehjes t’i pengojë komunikata e cila është pikërisht e bazuar në këtë liri themelore.

Ndërkohë, Kryeredaktori i RTK1, Xhymret Veliu është shprehur se përzgjedhja e mysafirëve bëhet nga stafi i RTK-së. Atëherë, pse duhet RTK-ja ta përzgjedhë vetëm Kadri Veselin, Hashim Thaçin, e Isa Mustafën? Si po rastisin të jenë vetëm këta mysafirë të ftuar? Kjo është saktësisht kapja e hapësirës për partitë në pushtet dhe përjashtimi i opozitës.