VV e LDK pro zgjedhjeve, AAK: S`iu frikësohemi, dolëm fituese në 7 komuna

E publikuar: 23/05/2018 20:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kurrë nuk ka qenë në pozitë më të mirë.

Madje, ky subjekt nuk e sheh aspak kërcënuese qëndrimin e Vetëvendosjes dhe LDK-së se duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme nacionale.

Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë për Indeksonline se është e drejtë e opozitës që të kërkojë zgjedhje, por që ata nuk i kanë votat për të ngritur një mocion që do e rrëzonte Qeverinë.

“Të gjitha subjektet duhet të shkojnë në këto tryeza sepse do të dalë diçka nga këto tryeza. Sa për zgjedhje, me i pas votat opozita e kishte ngritë një mocion mosbesimi për Qeverinë dhe ndoshta kishim shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme por për momentin nuk i kanë. Këto veç janë tema opozitare”, ka thënë ajo.
Sipas Kadrijajt, në tryezën e subjekteve politike është duke u diskutuar për reforma zgjedhore, por jo për zgjedhje.

Sido që të jetë, ka thënë deputetja, AAK nuk i frikësohet aspak mbajtjes së zgjedhjeve.

“Ne si parti nuk i frikësohemi zgjedhjeve fare, ju e dini që mundemi tash me shku sepse nuk e besoj që ndonjëherë kemi qenë më mirë me kryetarin kryeministër, me gjithë këto angazhime e gjithë këto punë që i ka bë për shtetin. E dini se kemi dalë në 7 komuna fituese. Sa i përket zgjedhjeve, Aleanca kurrë nuk ka qenë në pozicion më të mirë. Janë duke u përmend me u bë edhe reformat zgjedhore që do të ishte mirë të bëheshin, e janë përmend me vite të tëra. Të përgatitet reforma zgjedhore e të shkohet pastaj në zgjedhje”, ka deklaruar ajo.

Kadrijaj ka shtuar se qëllimi i tryezave është që të gjendet një konsensus për temat e mëdha dhe jo të hidhet si temë diskutimi, mbajtja e zgjedhjeve./Indeksonline/