VV: Bllokimi i funksionalizimit të Ushtrisë së Kosovës nga Presidenti dhe Qeveria

E publikuar: 03/07/2019 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot, bazuar në shqetësimet legjitime të ushtarakëve dhe stafit civil të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, Lëvizja Vetëvendosje adresoi një problem, siç thuhet në komunikatën e tyre, tepër të madh, që e ka burimin në papërgjegjësinë e Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes.

Në një konferencë për media, foli deputeti Rexhep Selimi, i cili tha se aktualisht një pjesë e madhe e personelit ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjendet në një situatë konfuziteti si pasojë e mosfunksionalizimit të strukturave të reja të planifikuara sipas ligjeve në fuqi.

“E gjithë kjo situatë derivon nga mosdekretimi i gjeneralëve të rinj nga ana e Presidentit të Kosovës që ka sjellë bllokimin edhe të emërimeve të tjera në pozitat e reja konform strukturës së re të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke krijuar një efekt zinxhir pothuajse në të gjitha nivelet. Ndërsa tek pozicionimi i shërbyesve civil është duke ndodhur një luftë mes partive të koalicionit qeverisës se cila do të punësojë më shumë si dhe të sistemojnë militantët e tyre në pozita drejtuese. Një pjesë e personelit civil në Ministrinë e Mbrojtjes vazhdon të kryejë detyrat ditore bazuar në kompetencat e pozitës konform strukturës së vjetër, ndërkohë që zyrtarisht janë të sistemuar në pozita konform strukturës së re të Ministrisë së Mbrojtjes (strukturë e cila nuk është funksionale), ndërsa sistemimi i pjesës së udhëheqësve (liderët kyç: drejtorët e drejtorive, drejtorët e departamenteve dhe shefat e sektorëve) nuk është bërë ende”, tha Selimi.

Si rrjedhojë e kësaj, sipas Selimit, në Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për formimin Shtabit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe strukturave në varësi.

“Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes miratimit të pakos ligjore me datë 14 Dhjetor 2018 nuk ka filluar ende së realizuari falë bllokadës absurde dhe të dëmshme të Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes. Ku ka ngecur funksionalizimi i Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes? Parlamenti i Republikës së Kosovës më 14 Dhjetor 2018 me përkrahje të të gjitha grupeve të partive politike parlamentare miratoi tri ligjet, Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai.

Tutje, sipas deputetit të Vetëvendosjes, sipas afateve kohore të paraqitur në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, më 21 Maj 2019 është qenë dashur të përfundojë pjesa e parë e fazës së parë “A+120 ditë”. Bazuar në këtë plan “Dita A” është Dita e hyrjes në fuqi të pakos ligjore pra 21 Janar 2019.

“Sot jemi me 3 Korrik, 6 muaj e gjysmë nga dita e votimit në Kuvend të ligjeve për ushtrinë e Kosovës, afër 5 muaj e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjeve, dhe rreth 1 muaj e gjysmë pas kalimit të afatit të përcaktuar nga plani gjithëpërfshirës. Gjatë periudhës kësaj periudhe duhet të mbërrihej tek këto objektiva: Riorganizimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave Tokësore në Shtabin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe Ministria dhe Komanda është dashur të kalojnë në tabelën organizative të re dhe personeli të jetë vendosur në pozitat e reja. Ky objektiv nuk është realizuar. Vendosja e elementit drejtues (udhëheqës) si, Shefi i Stafit të Shtabit të FSK, Sekretari i Përgjithshëm dhe Liderët Kyç, gjeneralët dhe Drejtorët e Drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK. As ky objektiv nuk është realizuar”, tha Selimi.

Shtoi se projektet kryesore gjatë kësaj faze të cilat tashmë është dashur të jenë të përfunduara (fatkeqësisht asnjë nuk është e gatshme apo i miratuar nga autoritetet e Ministrisë dhe FSK) janë: krijimi i dokumenteve strategjike si strategjia e mbrojtjes ajo për anëtarësim dhe integrim në strukturat rajonale si dhe vendosja e bazës doktrinore për riorganizimin e komandave, pra tabelat organizative e Personelit dhe Pajisjeve si dhe Misionet, konceptet operacionale, Procedurat Taktikat dhe Teknikat, manualet. As ky objektiv nuk është arritur.

Deputeti Rexhep Selimi, nënkryetar i komisionit parlamentar për Sigurinë dhe FSK-në paraqiti, siç tha ai, dëmet që po ia bëjnë me vetëdije qoftë Presidenti, qoftë Kryeministri e Qeveria.

Deputeti Selimi tha po ashtu se Qytetarët e Kosovës e pritën me entuziazëm miratimin e ligjeve për ushtrinë.

“Deputetët u angazhuam maksimalisht në amendamentim, procedimin dhe e votuam pa asnjë votë kundër. Qeverisë i dhamë përkrahje në emër të unitetit dhe vullnetit për të pasur një ushtri për shtetin e Kosovës. Pushtetarë u lavdëruan të gjithë me radhe duke tentuar të marrin merita kush më shume se sa tjetri. 11 vjetori i pavarësisë u shënua nën logon e ushtarit të Kosovës, kurse veprimet për t’i implementuar ligjet mbesin ne vend. Presidenti nuk po do t’i dekretoje liderët kyç, dhe motivet janë thjesht dhe vetëm personale, pra të ndikimit të tij të drejtpërdrejtë. Kryeministri është vetëmjaftuar me mburrje se në mandatin e tij janë votuar ligjet për FSK-në kurse Ministri dhe Ministria e Mbrojtjes gjenden ne një kaos dhe aktiviteti i tyre kryesor është mbushja e Ministrisë me militante partiake të partive në pushtet. Vijojnë vendimet sa të paligjshme aq dhe kontroverse prej shkarkimeve dhe emërimeve të Sekretarit të përgjithshëm tek mungesa e kontratës për pajisje me uniforma dhe veshmbathje për rekrutët e rinj dhe te mungesa e rregullores së pagave”, përfundoi Selimi.