I vuri flakën vetës në polici/ Flet fieraku: 3 trafikantë më morën vajzën, i denoncova, por…

E publikuar: 21/01/2017 14:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy ditë më parë 57-vjeçari Marko Silo tentoi t’i japë fund jetës duke u vetëdjegur me benzinë në ambientet e Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në policinë e Fierit, ndërsa sot nga shtrati i spitalit në QSUT, ai tregon arsyet e këtij akti ekstrem.

Silo shprehet se vajza e tij është zhdukur prej tre vitesh dhe për këtë ai ka denoncuar 3 persona, pasi dyshon që mund ta kenë trafikuar si prostitutë dhe akuzon shtetin se nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar.

“Akti im ishte protestë për indiferencën e shtetit. Unë shkova në polici për vajzën time të zhdukur Armela, ata u treguan indiferentë. Kam denoncuar 3 persona që më morën vajzën. Një nga rrëmbyesit ishte i kërkuar edhe nga Interpoli. Vajza para një viti kërkoi të tërhiqnim denoncimin, besoj se vajza ime është nën presionin e rrëmbyesve”,- thotë ai. Ndërsa ka frikë për jetën e familjarëve, Silo kërkon mbrojtje nga minsitrat Tahiri e Majnnai.

Informacion paraprak nga Policia e Fierit:

Më datën 19.01.2017, rreth orës 13:00, ka hyrë në ambientet të Zyrës së Pritjes së Qytetarëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shtetasi M.S, 57 vjeç, banues në Levan, Fier, dhe pa komunikuar me personelin e shërbimit, ka tentuar të djegë veten me benzinë. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Shefit të Sektorit të SHCBA, dhe personelit të zyrës së shërbimit të qytetarëve u bë e mundur fikja në kohë e flakëve duke shpëtuar kështu jetën e këtij shtetasi, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.  Lidhur me këtë ngjarje ju sqarojmë se bashkëshortja e shtetasit të lartëpërmendur, më datën 20.09.2016 ka kallzuar pranë DVP Fier se në vitin 2014 i është larguar vajza nga banesa dhe dyshon se mund të shfrytëzohet për prostitucion jashtë shtetit. BalkanWeb.