I vuri eksploziv autobuzit të funeralit dhe u largua me biçikletë, arrestohet 28 vjeçari

E publikuar: 26/08/2016 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arrestohet autori që i vendosi eksploziv autobusit për shërbime funerale ditën e djeshme. Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr.4 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin, Erion Duçka, 28 vjeç, banues në Tiranë.
“Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi rreth orës 03:40 të datës 25.08.2016 në rrugën “Gjolek Kokona”, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës së përgjithshme gjatë kryerjes së detyrës”, thuhet në njoftimin e policisë.“Nga veprimet hetimore të kryera ky shtetas është i dyshuar i ngjarjes së shkatërrimit të pronës me eksploziv ndodhur më datë 25.08.2016 në rrugën “Arben Minga” ku i është vendosur lëndë plasëse autobusit me targë AA940CG në pronësi të shtetasit K. R”, thuhet në komunikatën zyrtare.

Shtetasi Erion Duçka, dyshohet se menjëherë pas kryerjes së ngjarjes është larguar me një bicikletë dhe është ndaluar nga punonjësit e patrullës të cilët i ka kundërshtuar me dhunë në tentativë për tu larguar. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Kundërshtim me dhune i punonjësve të policisë së rendit publik” dhe “shkatërrim prone me eksploziv “parashikuar nga nenet 236 dhe 152/1 K.Penal.