Vulin viziton ushtrinë afër kufirit me Kosovën: Nëse jep urdhër Presidenti jemi gati për luftë

E publikuar: 17/01/2018 17:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, nuk mund të themi se situata është e qetë dhe në rregull.
Kështu tha sot ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, i cili në Rashkë, qytetin më të afërm në kufirin me Kosovën, po verifikon gatishmërinë luftarake të njësiteve serbe.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme dhe e aftësuar materialisht e me kuadro, mirë e armatosur dhe e pajisur që të zbatojë çdo urdhër të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe të organeve shtetërore në mbrojtje të territorit, të rendit kushtetues, të paqes dhe të stabilitetit të gjithë hapësirës”, ka dhënë Vulin mesazhin nga Rashka, shkruan Express.

Ai është zotuar se organet shtetërore të Serbisë janë në gjendje të zbulojnë autorët e vrasjes së Ivanoviqit.

“Ne askënd nuk po e lusim që të marrim pjesë në hetime, ne kërkojmë që organeve tona t’u dorëzohen të gjitha të dhënat”, ka thënë Vulin, duke shtuar: “U themi përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare se nëse nuk janë gjendje ta bëjnë këtë gjë, atëherë ta pranojnë dështimin dhe t’ia lënë Serbisë ta zgjidh rastin”.

I pyetur për deklaratën e kryeparlamentarit të Kosovës Kadri Veseli se “nuk do të ndalemi deri në Nish”, ministri serb i Mbrojtjes Vulin është përgjigjur se “kjo mund të pritej nga një terrorist i padënuar”.

“Qytetarët e Serbisë nuk duhet të shqetësohen asnjë sekondë. Askush nuk do të arrijë deri në Nish, as të niset dhe as të mendojë se do të mund të arrijë deri në Nish”, është përgjigjur Vulin.