Vuçiqi thotë se serbët s’do ta formojnë Asociacionin njëanshëm, “do të presim edhe tre muaj”

E publikuar: 18/04/2018 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia do të pres tre muaj e gjysmë, siç është thënë, për statutin e AKS-së, por se, siç thotë ai, kjo nuk do të ndodhë.

Vuçiq tha se nesër do të bisedojë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, nga e cila pret fjalë inkurajuese dhe ka shtuar se temë kyçe do të jetë raporti mes Beogradit e Prishtinës.

“Ne në thelb diskutojmë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe çdo gjë tjetër është 10 për qind e bisedave tona. Kjo marrëdhënie është pengesa më e madhe për rrugën evropiane”, tha ai, transmeton Koha.net.

Sipas tij, nga marrëveshja e Brukselit, vetëm pajtimi për formimin e Asociacionit të komunave serbe nuk është realizuar, dhe, siç tha ai, për këtë as që shpreson.

“Serbët s’do ta formojnë AKS-në as nesër, e as pasnesër, kemi pritur pesë vjet, do të presim edhe këta tre muaj, që askush të mos i akuzojë serbët se po i shkelin marrëveshjet dhe dakordimet ndërkombëtare”, shtoi presidenti serb, Vuçiq.

“Kanë thënë se për tre muaj e gjysmë do të dalin me statutin e AKS-së. Serbia do të pres edhe tre muaj e gjysmë, por ju them tani – nuk presim se do të ndodhë. Pozicioni ynë është i qartë, por e vështirë, shumë e vështirë. Ne nuk bisedojmë me shqiptarët por me shtetet që e kanë krijuar Kosovën e pavarur dhe që po e mbrojnë, me amerikanët, me Britaninë e Madhe… I kemi duart e lidhura, kurse qëllimi dhe interesi ynë është të ruajmë sigurinë”, ka thënë ai.

“Kur flisni me shumë të fuqishëm, duart i keni të lidhura, jeni shumë më të dobët, por ju mbetet vetëm të luftoni fortë dhe me krenari për vendin tuaj, për interesa të popullit tuaj, për popullin serb në Kosovë e Metohi, që të mund të mbijetojnë në vatrat e tyre”, theksoi më tej presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.