Vuçiqi do të bëjë fushatë edhe në 4 qarqe në Kosovë

E publikuar: 05/02/2019 09:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nga e enjtja e kësaj jave do të nis fushatën me sloganin “E ardhmja e Serbisë”, gjatë së cilës do të vizitojë 29 qarqe, “25 në Serbinë qendrore dhe 4 në Kosovë”, ku do të bisedojë me njerëz, do të paraqes rezultate, raporte dhe do të tregojë se çfarë do të bëjë në të ardhmen.

Kreu i shtetit serb foli edhe për protestat e opozitës në Beograd e në qytete tjera të Serbisë, por edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, duke thënë se këtë të fundit “pothuajse askush s’e përkrahu” dhe se suksesi më i madh i atij tubimi ka qenë që është bërë kryelajm në mediat shqiptare, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.

I pyetur në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Vuçiqi ka pyetur se “kush do të mund t’ia sqaronte qytetarëve të Serbisë se Kaçaniku është vërtet vend serb”.

“Ndaloni së gënjyeri fëmijët. Ai vend, për kokë banori, ka më së shumti pjesëtarë të ISIS-it”, ka thënë Vuçiqi, transmeton Koha.net.

Të gjithë ata që do të luftonin për Kosovën, ai i ka porositur se, “përderisa të jem unë president i Serbisë, nuk do të lejojë që 2 milionë fëmijë të shkojë në luftë dhe do të bëj gjithçka që kjo të mos ndodhë”.

“Ata që dëshirojnë të luftojë për Kosovën dhe të rrihen, duhet t’u tregojnë fëmijëve të tyre. Nuk do të doja që fëmijët e mi të shkojë në luftëra e përleshje. As Danillo, as Vukani, e madje as Milica, nuk do të rriten me luftëra e konflikte”, tha Vuçiqi.

Sipas fjalëve të tij, qëndrime patriotike ndaj Kosovës nuk do të mbajnë ata të cilët “kanë vjedhur para dhe fëmijët i kanë dërguar nëpër fakultet elitare nëpër botë”.