Vuçiq viktimizohet para ambasadorëve të Quint-it – Kosova fajtore për të gjitha

E publikuar: 08/05/2019 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot është takuar me ambasadorët e Quint-it.

Gjatë ditës së sotme, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ambasadorët e vendeve të Quint-it – SHBA, Britania, Franca, Italia dhe Gjermania si dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian.

Siç shkruajnë mediet serbe, në këtë takim është diskutuar për Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor që u mbajt javën e kaluar, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit të Presidencës serbe, Vuçiq me ambasadorët e shteteve të Quint-it, përpos Samitit të Berlinit, ka diskutuar edhe për bllokimin e dialogut me Kosovën, dialog ky, i cili ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Sipas njoftimit, ky takim ishte i hapur, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Ndërkaq Vuçiq në këtë takim citohet të ketë thënë se për bllokimin e dialogut Serbia nuk ka faj dhe se është vënë në një pozicion të vështirë pasi që sipas tij, Kosova ka vendosur taksën dhe ka miratuar rezolutën për Dialogun, rezolutë kjo që sipas Vuçiqit është kundër serbëve dhe popullit serb, transmeton më tutje lajmi.net.

Në anën tjetër, sipas njoftimit të Presidencës, përfaqësuesit e vendeve të Qunint-it dhe të Bashkimit Evropian, i kanë kërkuar presidentit Vuçiq që të jetë i vetëpërmbajtur në deklaratat e tij dhe të punojë seriozisht në gjetjen e një zgjidhjeje të përgjegjshme të problemeve në rajon në mënyrë që të stabilizohet situatën politike.

Vuçiq citohet të ketë thënë se, Serbia do të sillet në mënyrë racionale dhe serioze dhe në momentin që Kosova e heq taksën, Serbia do të vazhdojë dialogun me Kosovën pa asnjë problem.