Vuçiq “vajton” që nuk u pranua ideja e Qosiqit e Gjingjiqit për ndarjen e Kosovës

E publikuar: 12/03/2019 20:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Sikur ta kishim pranuar idenë e Dobrica Qosiqit, të ofruar për herë të parë, për ndarjen si një zgjidhje për Kosovën sot do të ishim në Bashkimin Europian”.

Kështu u përgjigj presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në pyetjen e RTS-së, transmeton Koha.net. Sipas tij, Serbia do të kishte më shumë në Kosovë nga ajo që ka sot se në kohën kur Qosiqi, por edhe Zoran Gjingjiqi, flisnin për këtë.

“Sikur ta kishim pranuar këtë (ndarje) atëherë kur për herë të parë e kishte propozuar Qosiqi (Dobrica Qosiq shkrimtar serb me ndikim, ish-president i Jugosllavisë dhe ideolog i hapët i nacionalizmit dhe hegjemonizmit serb – v.j.), sot do të ishim anëtare e BE-së. Sot do të mund të thosha me siguri se do ta kishim Volkswagenin, ndërsa tani gjasat janë jo të mëdha në krahasim me vendet e BE-së, meqë nuk jemi anëtare, e po ashtu edhe me problemin e Kosovës”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se në kohën kur Qosiqi, por edhe Gjingjiqi (Zoran Gjingjiq, ish-kryeministër i Serbisë i vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga kundërshtarët e tij politikë – v.j) kishin dhënë këtë ide Serbia do të kishte shumë më shumë në Kosovë nga ajo që ka sot.

Vuçiq ka rikujtuar se më 2001/2002 kishte biseduar në Kuvend (të Serbisë) me Gjingjiqin në lidhje me Kosovën, në prani të Jovanoviqit (Çedomir Jovanoviq, aktualisht kryetar i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë në opozitë – v.j.), kur, siç është shprehur ai, situata jonë ishte shumë më e favorshme – kur vlente slogani “standardet para statusit”, kur nuk e kishim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur nuk e kishim kufirin në Jarinje e Bërnjak,transmeton Koha.net.

“Tani jemi në situatë shumë më të vështirë, por papritmas do të dëshironim shumë më shumë. Kjo ndodh sepse njerëzit nuk kanë kurrfarë përgjegjësie”, ka thënë Vuçiq.