Vuçiq thotë se Serbia e Kosova janë “kilometra larg” një marrëveshjeje

E publikuar: 11/11/2018 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dielën e ka akuzuar Kosovën se po e “rrezikon bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal”, duke i rritur taksat ndaj mallrave serbe.
Një dialog ndërmjet dy ish-armiqve ka ngecur që disa muaj, dhe lëvizja më e fundit e Prishtinës ilustron tensionet e vazhdueshme, dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, raporton AFP.

Lufta e viteve 1998-99 ndërmjet forcave të Beogradit dhe shqiptarëve pro-pavarësisë i ka marrë jetën më shumë se 13.000 personave, kujton agjencia franceze e lajmeve.

Vendimi i Kosovës, i marrë këtë javë, për të rritur për 10 për qind taksën ndaj Serbisë, përbën “shkelje të marrëveshjeve të arritura dhe rrezikon bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal”, citohet të ketë thënë Vuçiq në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Komunikata e presidentit serb është lëshuar pas takimit të tij me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, në Paris, në margjina të shërbimeve përkujtimore për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, transmeton Gazeta Express.

Vendimi i Prishtinës, si masë hakmarrëse ndaj ofensivës së vazhdueshme diplomatike të Serbisë për t’i bindur shtetet që t’i tërheqin njohjet e pavarësisë së Kosovës, ka ngjallur kritika edhe nga Bashkimi Evropian, shkruan AFP.

Kosova thotë se pavarësia e saj nga Serbia, e shpallur më 2008, njihet nga rreth 115 vende. Por, Serbia pretendon se ka arritur t’i bindë një duzinë shtetesh që ta çnjohin ish-provincën e saj, thekson agjencia franceze e lajmeve.

Kosova dhe Serbia janë “kilometra larg arritjes së një marrëveshjeje”, citohet t’u ketë thënë Vuçiq gazetarëve serbë në Paris, nga transmetuesi publik serb, RTS.

Vuçiq ka deklaruar se nuk e ka kuptuar fare vendimin e Prishtinës për të rritur taksën ndaj vendit të tij.

Me eksporte të përvitshme prej 400 milionë eurosh, Serbia është partnerja më e madhe rajonale tregtare e Kosovës, kujton AFP.

“Kur ke të bësh me njerëz që po e bëjnë një gjë të tillë, të bëhet e qartë se duhet të kesh frikë se çfarë mund të bëjnë ata më vonë”, është shprehur shefi i shtetit serb.

“Jam tejet i tmerruar për të ardhmen, sepse nuk e di se çfarë mund të bëjnë ato koka”, është shprehur Vuçiq.

Një tjetër mosmarrëveshje ndërmjet dy palëve është vendimi i Kosovës për të krijuar ushtrinë e saj, shkruan AFP, duke shtuar se kështu ka pohuar për agjencinë vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili gjithashtu ka thënë se është takuar me Merkelin në Francë.

Ky vendim ka ngjallur reagime nga minoriteti serb në Kosovë, por edhe nga Serbia, kujton AFP.

NATO’ja, e cila udhëheq një forcë ushtarake që garanton sigurinë në Kosovë, gjithashtu ka shprehur rezerva serioze, shkruan agjencia franceze e lajmeve.

Serbia, dhe aleatja e saj kryesore, Rusia, refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës me shumicë shqiptare, përfundon AFP. /Express/