Vuçiq reagon pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin

E publikuar: 06/06/2020 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksander Vucic, e ka cilësuar si të mirë vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për heqje të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Një vendim i mirë nga Prishtina për të hequr barrierat në tregti”, ka thënë kreu i shtetit serb.

Qeveria e kaluar e Kosovës kishte hequr taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, dhe më 1 prill kishte vendosur masat e reciprocitetit ndaj produkteve nga Serbia.

Ky vendim nuk ishte mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pasi reciprociteti u pa si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Që atëherë, Beogradi ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e të gjitha pengesave të vendosura nga Prishtina zyrtare.