Vuçiq: Paqja e serbëve në Kosovë, interes i Serbisë

E publikuar: 20/01/2018 20:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paqja dhe mbijetesa e serbëve në Kosovë është interes i Serbisë, ka porositur presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. Ai është takuar me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës, në një takim të mbyllur, në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën veriore.

“Puna e jonë ka qenë që edhe sot të flasim për projektet e reja. Kemi folur për njësitë e reja banesore. Kemi folur për atë se si të ndihmojmë edhe me para dhe në çfarëdo mënyre tjetër politike zhvillimin e mëtejmë të veriut të Kosovës. Që të flitet këtu se si të ndihmojmë, sepse nuk do të vijnë investitorët e mëdhenj përderisa ju nuk e keni të zgjidhur çështjet statusore dhe gjithë të tjerat”, ka thënë Vuçiq.

Vizita e presidentit Vuçiq në Kosovë pason katër ditë pas vrasjes së liderit të Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviqit. Kjo vizitë, siç ka paralajmëruar Vuçiq, po bëhet vetëmpër të biseduar me serbët.

“Ju, njerëz, nuk keni shtëpi tjetër, përveçse këtu dhe ne nuk dëshirojmë që ju ta braktisni ndonjëherë. Ky është interes i shtetit të Serbisë dhe ju lutemi që të rrini këtu. Ju lutem që të mos qani dhe ju lutemi që të na lejoni… Unë e di që ju nuk dëshironi, por të na lejoni që të mos përdorim kurrfarë armësh. Të provojmë që gjërat t’i zgjidhim me politikë dhe bisedime. Më mirë të bisedojmë unë me Thaçin ose kushdo qoftë të bisedojë me Haradinajn 1 milion herë, se sa që edhe një plumb të shkrepet kudo qoftë”, ka thënë Vuçiq.

Para takimit me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës, presidenti Vuçiq ka vënë kurorë në vendin ku është vrarë politikani serb Ivanoviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët ka qëndruar në Manastirin në Banjska, ku ka porositur serbët në Kosovë se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, se do të bëj gjithçka që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen, që të sigurohet paqe dhe siguri e qëndrueshme për të gjitha familjet serbe dhe shqiptare.

Ai e ka bërë këtë deklaratë para Manastirit në Banjska, ku edhe e ka nisur vizitën e tij në Kosovë.

Vuçiq i ka porositur serbët e Kosovës se duhet të mbesin dhe mbijetojnë në vatrat e tyre, duke thënë se për këtë do t’i ndihmojë shteti i Serbisë.

“Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye, si shtet do të luftojmë në të gjitha mënyrat”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, si dhe për atë se cilat organe ua garantojnë sigurinë.

“Të shohim se si dhe në cilën mënyrë do t’i zhvillojnë hetimet. Ne do të shkëmbejmë informacione, sepse po shoh që po flasin për shkëmbim të informacioneve edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetime. Por, do të presim, jo rrëfimet për gazeta, por rezultatet përfundimtare të hetimeve. Të shohim se a do të sjellin hetimet deri te kryerësit e krimit të neveritshëm në Mitrovicë ose jo. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë mjaft gjëra do t’i kemi të qarta”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se është e nevojshme gjetja e moduseve të reja që ruajtja sigurisë dhe paqes së serbëve të bëhet më e qartë.

Vuçiq theksoi se është e rëndësishme edhe gjetja e mekanizmave të ri në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në radhët e veta.

Ai ka shtuar se Qeveria e Serbisë ka investuar mjaft në renovimin e kishave në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëj këtë edhe më tej. Gjithashtu, ai e ka cilësuar të rëndësishme që të përfundojë projekti i vendbanimit banesor “Lugina e diellit’.

Peshkopi Teodosije, me këtë rast, ka thënë se vizita e Vuçiqit është mjaft e rëndësishme dhe se për serbët në Kosovë është e pamundur mbijetesa pa shtetin e Serbisë.

Ndonëse shumica e qytetarëve serbë në veri nuk kanë qenë të vullnetshëm që ta komentojnë vizitën e presidentit Vuçiq në Kosovë, megjithatë, dy prej tyre, kanë thënë se kjo vizitë është e nevojshme për popullin serb që jeton në Kosovë.

Miodrag Dragosavac nga Mitrovica e veriut ka thënë se e përshëndet ardhjen e Vuçiqit në Kosovë.

“Është për tu përshëndetur ardhja e tij për ta ndarë me ne këtë situatë të rëndë, e cila na ka gjetur pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, njërit prej politikanëve më të mirë në këtë hapësirë”, ka thënë Dragosavac.

Miodrag Nedeljkoviq, po ashtu nga Mitrovica veriore, ka theksuar se ardhja e Vuçiqit në Kosovë ka qenë e nevojshme.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit Aleksandar Vuçiq që të na vizitojë vazhdimisht. Populli është i gëzuar kur dikush i viziton nga Beogradi, nga qeveria. Këtu, populli jeton shumë rëndë”, ka thënë Nedeljkoviq.

Siç është paraparë, Vuçiq do të qëndrojë edhe në pjesën qendrore të Kosovës, në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku do të bisedojë me banorët lokal.

Siç ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefi i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq, policia po zbaton planin operativ të veçantë, me rastin e vizitës së presidentit serb.

Me urdhër të Drejtorisë kryesore të policisë, policia rajonale e veriut ka hartuar planin operativ për këtë vizitë, për zbatimin e të cilit është paraparë angazhimi i një numri të madh të pjesëtarëve të policisë, ka thënë Bojiq.

Pas Mitrovicës së veriut, presidenti serb Vuçiq është nisur për në Kosovën qendrore, për tu takuar me qytetarët lokal në Llapna Sellë.

Kjo është vizita e shtatë e Vuçiqit në Kosovë në pesë vitet e fundit, ndërkaq e para në cilësinë e presidentit të Serbisë./trans. rel/