Vuçiq: Kosova mund ta marrë kodin telefonik, ankohet për kompetencat e Bashkësisë/Asociacionit

E publikuar: 30/06/2015 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit maratonik në Bruksel u ka deklaruar gazetarëve se pala kosovare ka qenë këmbëngulëse që Bashkësisë/Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë të mos u jepen kompetenca të mëdha, transmeton Klan Kosova.

“Pala serbe e ka dhënë maksimumin në këto bisedime. Kemi arritur ta ruajmë pronën e ‘Telekomit’ dhe jemi marrë vesh që thirrjet telefonike nga Kosova drejt Serbisë të mos llogariten si thirrje ndërkombëtare”.

Mirëpo, Vuçiq ka pasur vërejtje për qasjen e delegacionit kosovar ndaj Bashkësisë/Asociacionit të Komunave Serbe.

“Delegacioni i Prishtinës për Bashkësinë/Asociacionin nuk ka dashur t’i pranojë as ato kompetenca të cilat i kanë komunat, kompetenca që kanë të bëjnë me planifikimin urban, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik”.

Ai ka thënë se nuk e di kur do të mbahet raundi tjetër i bisedimeve.

“Jam i gatshëm që mbi vete ta marr përgjegjësinë e plotë dhe të gjitha pasojat”.