Vuçiq iu kërkon deputetëve të Bundestagut që Gjermania dhe BE-ja t’i bëjnë presion Kosovës

E publikuar: 02/04/2019 15:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot është takuar me deputetët e Bundestagut të cilët dje qëndruan në Kosovë.

Deputetët e Bundestagut gjerman, Peter Bauer nga CDU dhe Christian Schmidt i CSU-së, pas vizitës së djeshme që i bënë Kosovës, sot qëndruan në Serbi ku edhe u takuan me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Në këtë takim në mes të deputetëve gjerman dhe presidentit serb temë kryesore ishte çështja e Kosovës, në veçanti dialogu Kosovë-Serbi.

Siç shkruan “Tanjug.rs”, transmeton lajmi.net, Vuçiq iu ka thënë deputetëve të Bundestagut se Serbia është plotësisht e angazhuar që të arrij një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por që sipas tij, është Kosova ajo që e bllokoi dialogun duke vendosur taksën prej 100 për qind për mallrat serbe.

Po ashtu, Vuçiq citohet të ketë thënë se përpos taksës, Kosova e ka bllokuar dialogun edhe me miratimin e platformës për Dialogun.

Duke e parë këtë situatë të krijuar, Vuçiq ka kërkuar nga deputetët e Bundestagut që Gjermania dhe Bashkimi Evropian t’i përgjigjen Kosovës në mënyrë adekuate.

“Kosova nuk e ka përmbushur kushtin e vetëm të marrëveshjes së Brukselit, atë për krijimin e Asociacionit të Komunëve me shumicë serbe. Kosova po ashtu vendosi edhe taksën për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës si dhe miratoi një platformë për dialogun që e pengoi plotësisht vazhdimin e dialogut”, deklaroi Vuçiq, i cili shtoi se pret që Gjermania, Bashkimi Evropian dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar të kuptojnë seriozisht këto lëvizje dhe t’u përgjigjen atyre në mënyrë adekuate.

Në anën tjetër deputetët e Bundestagut kanë theksuar se Gjermania është e angazhuar të gjejë mënyra për të intensifikuar dialogun, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, për prosperitetin ekonomik.

Ashtu siç deklaruan dje në Kosovë,  Peter Bauer dhe Christian Schmidt treguan qëndrimin e Gjermanisë në lidhje me ndryshimin e kufijve, e që sipas tyre, Gjermania e kundërshton idenë e korrigjimit apo ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. /