Vuçiq fjalë të ashpra ndaj bombardimeve të NATO’s – s’e thotë asnjë fjalë pse ndodhën ato

E publikuar: 25/03/2018 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka shpërthyer kundër Perëndimit në një ceremoni me rastin e 19 vjetorit të bombardimeve duke goditur NATO’n e cila ndërhyri pasi Serbia po vazhdonte fushatën ushtarako – policore në Kosovë duke vrarë edhe fëmijë, gra, pleq dhe civilë. Por, Vuçiqit në qytetin e Aleksinac as që i ka shkuar mendja të përmend diçka nga këto.
Ish-ministri i Millosheviqit në kohën e bombardimeve, ka thënë së 24 marsi është një nga ditët më të vështira të 78 ditëve të agresionit të Aleancës më të madhe ndaj një vendi të vogël në zemër të Evropës.

Ai ka thënë se nga bombardimet janë vrarë 2500 njerëz nga saktësisht 2500 goditje të aeroplanëve të NATO’s.

Por, Vuçiq natyrisht s’ka dashur ta përmend asnjë viktimë të luftës në Kosovë – rreth 12 mijë persona të vrarë nga regjimi i Millosheviqit pjesë e të cilit ka qenë edhe Vuçiq.

“Gjithçka ka qenë e menduar dhe zbatuar me qëllim të qartë, secili nga 500 mijë projektilët është hedhur me qëllimin që të vriten njerëzit, civilët, të vriten ushtarët tanë, policët tanë, të vritet Serbia. Këtë e kanë dashur. Ky ka qenë çmimi që e kemi duruar në mënyrë që ata të fitojnë siç thonin të keqen, e kjo që ishte lufta jonë për ruajtjen e integritetit dhe lirisë”, ka thënë Vuçiq.

Regjimi i Millosheviqit nga viti 1990 kishte nisur një fushatë të egër ndaj kosovarëve duke zhvilluar represion në baza ditore duke mbyllur shkollat, spitalet për shqiptarët. Si rezultat i kësaj pak para fillimit të bombardimeve shqiptarët kishin filluar rezistencën me armë ndaj forcave serbe ndërkohë që intervenimi i NATO’s kërkohej prej kohësh nga Prishtina.

Por, për Vuçiq këto s’kanë asnjë rëndësi.

” Na vratë për shkak të Kosovës, por këtë nuk mund ta bëni më. Sot të gjithë e kanë të qartë. Mjaftë na keni vrarë. Po, duam partneritet edhe me juve që keni kryer krime të tmerrshme, por nuk duam të jemi në NATO”, ka thënë ai.