Vuçiq e vlerëson UNESCO-n për mbrojtjen e “trashëgimisë së rrezikuar serbe në Kosovë”

E publikuar: 13/09/2019 14:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten, në një takim në Beograd me drejtoren e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, se Serbia i vlerëson aktivitetet e kësaj organizate në mbrojtjen e “trashëgimisë së rrezikuar serbe në Kosovë”.

Sipas Vuçiqit, kjo trashëgimi historike, kulturore dhe fetare është trashëgimi e gjithë botës.

Në komunikatën e Presidencës serbe, të lëshuar pas takimit, po ashtu thuhet se Vuçiq “shprehu mbështetje për përpjekjet e Azoulayt për të ruajtur vlerat thelbësore, mbi të cilat bazohet puna e UNESCO-s, si dhe për të parandaluar politizimin e saj”.

Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s (Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë). Në vitin 2015, ka aplikuar, por ka dështuar.

Për pranimin e Kosovës nevojiteshin 95 vota për, që nënkuptonin dy të tretat e votave të përgjithshme të vendeve pjesëmarrëse në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila është mbajtur në Paris. Por, në favor të pranimit të Kosovës kanë votuar 92 vende./REL/