Vuçiq dorëzohet, tërheq planin për orë policore pas protestave

E publikuar: 08/07/2020 23:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është tërhequr nga plani i tij për të vendosur shtetrrethim në Serbi pas rritjes së dytë të rasteve të koronavirusit, për shkak të protestave të fuqishme që shpërthyen në Beograd dhe Novi Sad pas paralajmërimit të tij se do të vendoset kjo masë e rreptë.

Vuçiq kishte njoftuar të martën se masat e reja të bllokimit do të rivendoseshin më vonë gjatë javës, duke bërë që demonstruesit të mblidheshin para parlamentit me kërkesën për dorëheqje.

Protestat filluan të martën dhe vazhduan edhe sot me mijëra njerëz që protestonin dhe disa të plagosur jashtë parlamentit. Gjithashtu, pati edhe përleshje midis grupeve të protestuesve dhe policisë, të cilët hodhën gaz lotsjellës, shkruan Euronews.

Por, Vuçiq tha të mërkurën se pa shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, ai nuk do të jetë në gjendje të zbatojë shtetrrethimin nga e premtja në të hënën për të frenuar përhapjen e virusit.

Protestat, sipas mediave serbe ende po vazhdojnë në rrugë e para Parlamentit në Beograd.