Vuçiq: Do të ketë shumë presion mbi Serbinë, për shkak të Kosovës

E publikuar: 04/06/2020 16:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar, Vuçiq deklaroi se pret presion të madh mbi çështjen e zgjidhjes së problemeve me Kosovën dhe se është e rëndësishme që Serbia, pas zgjedhjeve, të ketë një qeveri të fortë.

“Por a do të jetë e lehtë për Serbinë – nuk do të jetë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Loznica, ku mori pjesë në hapjen e një pjese të rinovuar të një spitali dhe të një fabrike, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
Ai përsëriti se në atë proces, Serbia gjithashtu do të duhet të pyetet.

“Ne nuk kemi kundërshtime për bisedimet që kemi pasur në BE, si dhe në bisedimet me (Richard) Grenell. Unë gjithmonë jam munduar të arrij sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë paqësore. Nëse ata ndalojnë me kërkesat për pranim në Interpol dhe organizata të tjera, edhe ne do të ndalojmë me fushatën për ndryshim të qëndrimit të vendeve për pavarësinë e Kosovës”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka arritur këtë me mbështetjen pa ekuivokë të SHBA-së dhe se qëndrimi i tij do të jetë që të pranon bisedime vetëm aty ku janë amerikanët.

Gjithsesi, ai nuk e kupton, thotë ai, “se si do të ishte Prishtina në rrugën drejt BE-së, dhe nuk dëshiron, siç deklaroi Thaçi, të bisedojë me përfaqësuesit evropianë”.