Vuçiq beson se vendosjen e taksës e kishte kërkuar një shtet evropian që Serbia të mos e kërkojë veriun dhe Anamoravën

E publikuar: 18/02/2020 12:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se një shtet i madh dhe i fuqishëm i Evropës i ka kërkuar Prishtinës që të vendoset taksa për mallrat nga Serbia, me qëllim që Serbia të braktisë dialogun që sipas tij asokohe po shkonte drejt një zgjidhjeje kompromisi që Serbia ta “merr” veriun e Kosovës dhe Anamoravën.

“Është bërë që Serbia të braktisë dialogun dhe të shkatërrohet çfarëdo plani që Serbia të fitojë diçka… të mos mund të kërkojë veriun dhe Anamoravën. Këtë nuk e kam ditur menjëherë, por tani të gjitha i di. Fjala është për një shtet të fuqishëm”, tha Vuçiq gjatë një interviste dhënë në televizionin Happy, duke mos zbuluar saktësisht për cilin shtet bëhej fjalë, transmeton Telegrafi.

Sipas tij e tërë bota ishte kundër taksës, madje amerikanët sipas këndvështrimit të tij ishin më të zëshëm sesa evropianët, por beson se vendosjen e taksës e kishte kërkuar një shtet evropian.

Vuçiq gjithashtu tha se një vend ka këmbëngulur për një marrëveshje për energjetikën me Prishtinën, me qëllim që të marrin para, pasi sipas tij vetëm kjo kishte rëndësi për ata, e jo Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Kujtojmë që Vuçiq ka deklaruar se Serbia ka humbur rastin të arrijë një marrëveshje kompromisi me Prishtinën, dhe se për këtë duhet të paguaj çmimin.

Duke folur për demarkacionin, ai tha se e ka kuptuar që serbët kurrë nuk do ta pranojnë atë që cilësohej si rasti i tyre dhe se për këtë do të pendohen. Ai madje kujtoi që ideja e demarkacionit ka mundur të jetë burim i dialogut në të cilin Serbia do të fitonte diçka.