Vuçiq: Besoj në forcën e Merkelit, ajo gjithmonë i ka ndihmuar Serbisë

E publikuar: 28/04/2019 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Në Berlin do të bisedojmë për të ardhmen evropiane, shpresoj se do të ketë sinjale pozitive, ndërsa më së shumit do të flitet për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë e Kosovës”, ka thënë sonte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para takimit që e kanë ftuar kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

“Do të jemi në pozitë gjithnjë e më të vështirë kur bëhet fjalë për Kosovën. Kam luftuar për korrigjim kufijsh, tash e di se për këtë nuk do të luftojmë. Ndoshta unë do ta kem më lehtë, por Serbia do ta ketë më vështirë”, citon gazeta e Beogradit “blic” të ketë thënë Vuçiq.

“Nëse dikush mendon se nesër do të ndodhë diçka, ajo nuk do të ndodhë. Takimi shërben për uljen e pasioneve. Besoj në forcën e Angela Merkelit, ajo gjithmonë i ka ndihmuar Serbisë, edhe pse në disa gjëra nuk pajtohemi. Macroni është shumë i zoti, besoj se do të vijë me ide të mira”, përcjell koha.net.

“Delegacioni ynë është i vetmi në Berlin që do të flasë kundër pavarësisë së Kosovës”, ka përfunduar ai.