Vuçiq: Amerika pret që ta njohim Kosovën

E publikuar: 20/09/2019 12:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Amerika pret nga vendi i tij që ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për Televizionin Pink ai ka theksuar se ambasadori i deritanishëm amerikan në Beograd, Kyle Scott ka luftuar për një marrëdhënie më të mirë me Serbinë, dhe e falënderoi për mandatin e tij.

“Përparim është bërë në atë drejtim që ne sot po flasim hapur me Amerikën dhe askush nuk po na imponon. Ata mund të mos e kenë ndryshuar qëndrimin e tyre për Kosovën, por ne po flasim hapur. Edhe pse Amerika pret që ne të njohim pavarësinë e Kosovës, qëndrimi ynë për këtë çështje po dëgjohet sot”, shtoi ai.

“Kemi një punë të vështirë përpara. SHBA pret nga Serbia, e keni parë në letrën e Presidentit Trump, që ta njohë Kosovën. Mos të mashtrojmë popullin. Në një formë më të butë, ose këtë do ta lënë për fund, këtë do ta thonë edhe vendet tjera perëndimore që e kanë njohur Kosovën. Këshut qëndrojnë gjërat në Perëndim” ka thënë Vuçiq.

Kreu i shtetit serb tha mes tjerash se Serbinë po e pret një vjeshtë e vështirë sa i përket çështjes së Kosovës.

Duke folur për zgjedhjet e 6 tetorit që mbahen në Kosovë, Vuçiq thotë se “shqiptarët kanë tri lista për t`i dëbuar serbët, në mënyrë që Beogradi të mos pyetet për asgjë”.

Ai tha se javën tjetër, gjatë sesionit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të ketë një numër të madh takimesh me zyrtarë botërorë dhe se këto bisedime do të jenë të vështira sepse Kosova do të jetë një temë mbizotëruese.

“Do të kem takime të panumërta në New York. Me njerëzit e BE-së, shumë takime bilaterale, përsëri me Kancelaren Merkel, gjë që është një kënaqësi për mua”, theksoi Vuçiq.