Vritet pas një sherri në lokal, miku i Denis Shtrazës

E publikuar: 02/03/2016 02:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një person me precedentë penalë është vrarë mbrëmjen e së martës në qytetin e Durrësit, ndërsa policia deklaron paraprakisht se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.

Asllan Kërtusha, 29 vjeç, i njohur për shoqërinë me Denis Shtrazën, të arrestuarin si i dyshuar për rrëmbimin e vrasjen e Gaz Çollakut, nuk ka mundur të mbijetojë pas plagosjes me pistoletë. I njohur edhe si konsumator i rregullt i pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, viktima dyshohet të jetë konfliktuar në një nga lokalet pranë Ujësjellës Kanalizimeve Durrës me personin që ka mbetur i plagosur në vendin e ngjarjes, shtetasin Blendi Kajno, 34 vjeç.

Viktima dhe autori kanë qenë në të njëjtën tavolinë kur kanë nisur debatin. Asllan Kërtusha ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Kajnos, duke e lënë të plagosur. Por pronari i lokalit, kushëri i të plagosurit, 30-vjeçari Gëzim Kajno, ka ndërhyrë duke e nxjerrë jashtë lokalit Kërtushën. Në përleshje e sipër i ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi të duke e lënë të plagosur rëndë. Autori i dyshuar është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa i plagosuri Kajno mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Ja si ndodhi ngjarja

Sipas njoftimit të policisë së Durrësit, gjithçka ka ndodhur kur Kërtusha ka nisur të ngrejë zërin duke debatuar me persona të tjerë të cilët ndodheshin në ambientet e lokalit, mes tyre edhe kushëriri i pronarit të lokalit Blendi Kajno. Pasi e kanë duruar për disa minuta, Gëzim dhe Blendi Kajno kanë tentuar ta nxjerrin jashtë lokalit, pasi po prishte qetësinë.

Por pasi Kërtusha ka dalë jashtë ai ka nxjerrë pistoletën që mbante në brez dhe ka qëlluar në drejtim të Blendi Kajnos, duke e plagosur në këmbë. Në këtë moment, Gëzim Kajno përleshet me Asllan Kërtushën dhe arrin t’ia rrëmbejë nga duart pistoletën. Ai e qëllon Kërtushën dy herë, duke e lënë të plagosur rëndë.

Gëzimi, pronar i lokalit, u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur, ndërsa dy të plagosurit u dërguan me urgjencë drejt spitalit të Durrësit. Pas disa minutash Asllan Kërtusha ndërroi jetë, ndërsa Blendi Kajno ka marr vetëm një plumb në këmbë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodhet jashtë rrezikut për jetën.