Vritet kryebashkiakja e porsaemëruar në një qytet meksikan

E publikuar: 02/01/2016 23:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryebashkiakja e porsaemëruar në qytetin meksikan të Temixcos është vrarë të shtunën, ka bërë me dije përmes një postimi në Twitter Guvernatori shtetëror i Morelos, Graco Ramirez.

Gisela Mota zyrtarisht mori detyrën me ardhjen e vitit të ri të premten. Gazeta e Mexico Cityt, “EL Universal”, thotë ajo u sulmua në shtëpinë e saj nga katër persona të armatosur, raporton Reuters.

Policia lokale më pas ka arrestuar dy sulmuesit e dyshuar, ndërsa dy të tjerë i ka vrarë, shkruan në deklaratën e lëshuar nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Morelos, transmeton Koha.net.

Deklarata nuk ka dhënë detaje tjera për sulmin.

Disa kryebashkiakë janë vrarë vitin e kaluar në Meksikë, ku grupe të armatosura të financuara nga droga kontrollojnë shumë komunitete lokale.

Temixco, që gjendet rreth 100 km në jug të Mexico Cityt, ka një popullatë prej rreth 100 mijë banorësh.

Mota, një ish-anëtare federale e Kongresit, i përkiste partisë majtiste të Revolucionit Demokratik.