Vrasje e trefishtë në Prishtinë

E publikuar: 22/04/2019 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre persona humbën jetën të hënën në Prishtinë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 13:20, policia ka marrë informacionin për vdekje të dyshimtë në rrugën ‘Bill Clinton’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrarë tre persona”.

“Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht, njësitet policore janë duke punuar në sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, tha Ahmeti.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, tha për Radion Evropa e Lirë se një person dyshohet se ka vrarë gruan e djalit dhe gruan e tij dhe se më pas është vetëvrarë.

Prokurorët janë në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet në lidhje me rastin.