Vrasësit serikë

E publikuar: 22/03/2015 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrugët e Kosovës po vazhdojnë të konsiderohen “vrasëse serike”, që për çdo vit po marrin dhjetëra jetë njerëzish, ndërsa shumë të tjerë po mbesin invalidë të përjetshëm.

Që nga përfundimi i luftës e këtej, numri i atyre që kanë vdekur aksidentalisht nëpër rrugët e Kosovës, ka barazuar gati me numrin e dëshmorëve të rënë në luftën për liri (UÇK).

Sipas statistikave, që nga paslufta kanë ndodhur rreth 1700 aksidente me fatalitet, prej të cilave kanë humbur jetën rreth 2000 qytetarë të Kosovës.

Madje në uljen e numrit të aksidenteve në vend nuk ka ndikuar organizimi i fushatave vetëdijesuese dhe as shqiptimi i mbi dy milionë e katërqind mijë tiketave në periudhën 2005-2014.

Në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës, në periudhën 2002-2014 kanë ndodhur 1672 aksidente fatale, në të cilat kanë humbur jetën 1911 persona.

Ndërkohë që sipas juristëve dhe sociologëve. për të ulur numrin e aksidenteve në trafik e rrjedhimisht edhe numrin e viktimave përveç organizimit të fushatave vetëdijësuese, duhet të ketë zbatim më rigoroz të ligjit, në mënyrë që shkelësit e rregullave të marrin dënimet e merituara dhe të mos mund t’i ikin ligjit.

Fushatat vetëdijësuese dhe dënimet nuk ndikojnë në uljen e aksidenteve

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka sqaruar për “Zërin” se vazhdimisht organizohen fushata vetëdijësuese.

Madje vetëm në vitin e kaluar janë organizuar tri të tilla. “Sa u përket fushatave vetëdijesuese, vetëm gjatë vitit 2014 janë realizuar disa fushata si: “Rrugë të mbarë dhe të sigurt gjatë pushimeve (sezoni veror)”; “Kujdes se po rrëshqet (sezoni dimëror); dhe “Fillimi i vitit të ri shkollor 2014/2015”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e kësaj zyre. Por, pavarësisht këtyre fushatave si dhe numrit të madh të gjobave të shqiptuara nga ana e Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve në trafik nuk ka rënë.

Avokati Arianit Koci ka thënë se pavarësisht faktit se janë duke u shqiptuar shumë dënime për vozitësit që shpërfillin rregullat e komunikacionit, numri i aksidenteve ende është i madh. Prandaj, sipas tij, për të parandaluar aksidentet në komunikacion duhet të bëhet kombinim i disa veprimeve nga institucionet përgjegjëse.

“Numri i viktimave në aksidente të komunikacionit në Kosovë është alarmant. Në të njëjtën kohë, policia e komunikacionit, kurrë më tepër nuk ka shqiptuar dënime. Prandaj, vetëm me dënime, është evidente që nuk mund të parandalohen aksidentet në komunikacion. Mendoj që duhet bërë kombinimin e fushatave vetëdijësuese, rritjes së kontrollit në komunikacion dhe politikave të unifikuara të gjobitjes. Por, rolin primar duhet ta ketë Policia me kontrolle të shpeshta, duke përfshirë edhe tërheqjen e vërejtjes dhe aktivitetet tjera parandaluese”, ka vlerësuar Koci.

Muhaxhiri: Shkelësit nuk marrin dënimet e merituara

Ndërsa, sociologu Artan Muhaxhiri ka thënë se problemi kryesor është fakti se shkelësit e rregullave të komunikacionit, nuk marrin dënimet e merituara.

“Problemi kryesor është mungesa e një rigoroziteti më të madh rreth lidhjes së dënimeve me realizimin e tyre, sepse është krijuar një kulturë e ikjes prej dënimeve. Vozitësit nuk e kanë më problemin e dënimit sepse llogarisin se mund t’i shpëtojnë dënimit përmes intervenimeve në gjykata apo në sistemin e gjyqësisë në përgjithësi. Sepse besoj po të rriteshin gjobat, atëherë më siguri që edhe vozitja do të ishte më e kujdesshme”, është shprehur Muhaxhiri, duke thënë se fushatat vetëdijësuese kanë pak ndikim te vozitësit.

Sipas Muhaxhirit, shqetësuese është edhe mënyra e marrjes së patentë-shoferit.

“Shqetësuese duhet të jetë edhe mënyra e marrjes së lejes së vozitjes, sepse ka vozitës që e kanë këtë dokument, mirëpo nuk i dinë rregullat e komunikacionit, kjo për shkak se lejen e vozitjes ose e ka ble me para, ose e ka marrë përmes intervenimeve. Baza e tërë kësaj çështje është te sistemi gjyqësor që nuk i dënon rregullisht ata që shkelin rregullat”, ka deklaruar ai.

Më tej, Muhaxhiri ka përmendur edhe një fakt tjetër, që sipas tij, do të mundë të ndikonte në uljen e aksidenteve e rrjedhimisht edhe uljen numrit të viktimave të komunikacionit.

“Po ashtu ka një mungesë të madhe të Policisë në rrugë, sepse bie fjala nëse dilni në rrugët e Prishtinës do të shihni pak policë në rrugë. Besoj që pa prezencën e konsiderueshme të policëve në rrugë, edhe respektimi i rregullave të komunikacionit bie, si nga ana e shoferëve, ashtu edhe ana e këmbësorëve”, ka shtuar sociologu Muhaxhiri.