Votuesit joshen me mbi 4 milionë euro

E publikuar: 30/05/2017 09:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për projektet e nisura apo që janë lënë të realizohen gjatë parafushatës zgjedhore të 11 qershorit Komuna e Mitrovicës, e Skenderajt dhe ajo e Drenasit kanë planifikuar të investojnë mbi 4 milionë euro, me të cilat synohet të joshen votuesit për të votuar për partitë në pushtet.
Në Mitrovicë investohen mbi 1 milion euro, në Skenderaj mbi 2 milionë dhe në Drenas rreth 1 milion euro, shkruan sot, gazeta Zeri.

Zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mund t’ua shohin hairin qytetarët e Kosovës, pasi që komunat janë përkujdesur që shumë projekte të cilat kanë mbetur në gjysmë dhe projekte të tjera të nisen të realizohen gjatë parafushatës, me çka synohet të joshet votuesi.

Në shumë fshatra të komunës së Mitrovicës, të Skenderajt dhe të Drenasit kanë nisur të realizohen shumë projekte, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Komunat kanë rezervuar miliona euro për “ditë të vështira”, siç thonë, që do të thotë për kohë fushate.

Duke investuar miliona euro partitë në pushtet synojnë t’i joshin votuesit që të votojnë për subjektet e tyre politike. Përveç në fshatra, projekte të ndryshme, të cilat kanë filluar tani apo që kanë mbetur në gjysmë, janë duke u realizuar edhe në vetë qytetin e Mitrovicës, të Skenderajt dhe të Drenasit.

Qytetarët thonë se do të ishte mirë që të ketë më shpesh zgjedhje sepse vetëm në këtë mënyrë “pushtetarët kthehen nga qytetari, të paktën për t’i dëgjuar problemet dhe hallet e tij”. Por qytetarët frikohen se projektet që kanë filluar të realizohen në parafushatë mund të ndërpriten pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe të rifillojnë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale.

Në anën tjetër, kryetarë të komunave dhe zyrtarët komunalë kategorikisht mohojnë që projektet janë ruajtur për t’u realizuar në kohë fushate. Ata nxirren me një fjalë të vetme – “se projektet kanë qenë prioritet i Komunës”