Vonohet përkthimi i kontratave për TC ‘Kosova e Re’

E publikuar: 03/05/2018 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një konferencë për shtyp me 22 janar, pas një takimi me Safet Gërxhaliun, kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe disa prodhuesve vendorë, kishte thënë se përkthimi në gjuhën shqipe i kontratës për termocentralin ‘Kosova e Re’ ka filluar dhe pritet të kryhet brenda tre muajsh.

“Kontrata i ka 1000 faqe, përkthimi ka filluar por do të zgjasë deri në 3 muaj, përkthimin po e bën zyra jonë, nuk besoj që ka një kosto të lartë”, ka potencuar ministri Lluka.

Më 22 prill janë bërë 3 muaj që nga premtimi publik i ministrit Lluka, por përkthimi i tetë marrëveshjeve të kontratës 1.3 miliard euro me ‘Contour Global’ ende nuk ka përfunduar.

Zyra për Informim e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se procesi i përkthimit të tetë marrëveshjeve është duke u kryer me kujdes.

“Për shkak të volumit dhe kompleksitetit të marrëveshjeve, përkthyesit e kontraktuar nga MZHE kanë njoftuar se procesi i përkthimit është duke u kryer me kujdes”, thuhet në përgjigjet e MZHE-së.

Ai ka thënë se përkthimi i dy marrëveshjeve do të përfundojë gjatë kësaj jave.

“Pastaj nga dy marrëveshje në fund të çdo jave pasuese”, ka deklaruar Zeqiri për KALLXO.com.

Nëse përkthimi i tetë marrëveshjeve do të shkoj sipas planit të MZhE-së dhe përkthimi i nga dy marrëveshjeve do të bëhet në çdo javë pasuese atëherë përkthimi do të përfundoj me 27 maj.

Deri më 6 maj, që është ditë e diel dhe fundi i kësaj jave, do të përkthehen dy marrëveshje, deri më 13 maj do të përkthehen dy marrëveshje të tjera, deri më 20 maj do të bëhet përkthimi po ashtu edhe i dy marrëveshjeve. Përkthimi i dy marrëveshjeve të fundit sipas planit të MZhE-së pritet të bëhet deri më 27 maj.

Sipas kësaj llogaritje del se përkthimi i të gjitha marrëveshjeve të kontratës me ‘Contour Global’ do të zgjasë më shumë se katër muaj që nga premtimi i ministrit Valdrin Lluka./kallxo.com/