Vokalisti i Trojës thotë se grupi ishte ndarë qe dy vjet, jo pas protestës së VV-së

E publikuar: 17/06/2020 19:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas njoftimit për përçarjen e rock-grupit Troja, vokalisti i këtij grupi, Bujar Berisha, ka thënë se ndarja e grupit ka dy vjet që ka ndodhur, dhe s’ka të bëjë me protestën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një reagim në Facebook, Berisha ka thënë se grupi ishte ndarë për arsye private të anëtarëve të grupit.

“Nuk është e vërtetë që grupi Troja u nda pas protestës së 12 qershorit. E vërteta është se ka dy vjet që grupi Troja nuk jemi bashkë edhe nuk funksionojmë si bend për arsye private të anëtarëve të grupit!”, ka shkruar ai.

Ai ka refuzuar ta quajë aheng organizimin e 12 qershorit në sheshin e Prishtinës, për nder të 15-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Performanca ime në një protestë qytetare ku në pyetje është shteti im dhe shteti i fëmijëve të mi, nuk është një ‘aheng’, siç e kishte quajtur autori i shkrimit, por një protestë masive, paqësore, qytetare, në një moment mjaft kritik për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Pjesëmarrja ime dhe e miqve të mi ku në një mënyrë ishte gjysma e grupit nuk ishte e thirrur në emër të grupit Troja, por në emrin tim dhe të miqve të mi, të cilët nuk zgjodhën të jenë neutralë në këtë kohë të cilën po kalojmë si shtet e si shoqëri”, ka vazhduar tutje ai.

“Unë nuk mund të jem neutral kur është në pyetje demokracia e vendit tim, nuk mund të jem neutral kur është në pyetje e ardhmja e vendit tim, andaj nuk mund të jem neutral as në këtë kohë kur demokracia dhe themelet e shtetit të Kosovës janë vënë në pikëpyetje. Publiku që na ka përcjellë gjatë kësaj kohe, gati 30-vjeçare, duhet të kenë parasysh se këngët të cilat i kam performuar në protestën e 12 qershorit, janë këngë të cilat i kam shkruar me dorën time dhe për këtë nuk i jap askujt llogari mbi këtë tokë, aq më pak ndonjë autori të një shkrimi të tillë!”, ka shkruar Berisha./Koha.net/