Vogel nuk pret ndonjë marrëveshje në takimin e nesërm Kosovë-Serbi

E publikuar: 15/07/2020 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Toby Vogel, bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i Këshillit për Politikën e Demokratizimit nga Berlini, nuk pret ndonjë marrëveshje konkrete në takimin e nesërm të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai i tha portalit Kosovo Online se më e mira që mund të pritet nga ai takim është që të dyja palët të angazhohen përsëri për parimet bazë të dialogut, të cilat u vendosën në vitin 2011.

Vogel tha se Washingtoni mund të përpiqet të organizojë një takim përsëri para nëntorit, por se përpjekja e tyre për të sabotuar dialogun i ra përtokë, për këtë arsye sipas tij do të ishte e mençur të qëndrojnë plotësisht prapa dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, transmeton Klan Kosova.

“Sigurisht, kjo do të nënkuptojë gjithashtu se Bashkimi Evropian më në fund e merr seriozisht detyrimin e tij, për shembull, siç është heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Vogel.

I pyetur se çfarë duhet t`i ofrojë BE palëve që të bien dakord për një marrëveshje, Vogel tha se retorika e Brukselit është se BE ofron një perspektivë të prekshme të anëtarësimit për të dyja palët dhe se ky është nxitja kryesore për të arritur një marrëveshje.