Vllasi: Të injorohet “Srpska”, Millosheviçi ishte si Hitleri

E publikuar: 15/03/2015 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokati dhe analisti politik, Azem Vllasi, e sheh të panevojshme që tash e tutje Qeveria e Kosovës ta përkëdhelë Listën Serbe. “Unë mendoj se asnjë arsye nuk ekziston që Lista Serbe të përkëdhelet tutje. Ne po i japim shumë rëndësi asaj dhe ajo pastaj po e keqpërdor në maksimum këtë gatishmëri të Qeverisë së Kosovës”, thotë Vllasi.

Vllasi thotë se Lista Serbe nuk mund të mbajë peng asnjë zhvillim në Kosovë.

“Lista Serbe e ka kuptuar shumë keq rolin e vet, sepse është shndërruar në një instrument politik të Serbisë për ta mbrojtur politikën dhe pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës. Lista realisht nuk po punon për tu shërbyer interesave të Kosovës, por po u shërben agjendave të Beogradit, duke dëshmuar se këta po punojnë për interesa të tyre personale, dhe shtetërore të Serbisë”, ka saktësuar Vllasi, raporton rajonipress.

Vllasi ka edhe një selam për Gradimir Mikiqin e Ranillugut.

Ai thotë se pushtetet lokale në komunat me shumicë serbe duhet të merren me probleme të komunitetit të vet dhe jo me budallallëqe, siç po merret ai.

“Ideja e Mikiqit drejtpërdrejt po e fut komunitetin serb në armiqësi me shqiptarët. Mikiqi me gjestet e tij po ua prish rehatinë serbëve të Ranillugut duke u shkaktuar telashe të panevojshme me shqiptarët. Asnjë serb, asnjëherë nuk ka ikur nga Kosova shkaku i shqiptarëve, por pikërisht ishte politika e Millosheviqit ajo që i ka dëmtuar ata dhe tani ata edhe janë përgjysmuar në numër pikërisht nga viktima dhe demagogjia e politikës së Millosheviqit”, tha Vllasi.