Vllahiu: Presidentja po e shqyrton propozimin për Kryeprokuror, askush s’mund të flasë në emër të saj

E publikuar: 03/04/2015 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i Kryeministrit s’mund të flas në emër të Presidentes për Kryeprokurorin.

Këshilltari i Kryeministrit Mustafa, Besnik Berisha, kishte deklaruar mbrëmë se Presidentja e Kosovës gjatë ditës së premte do të dekretonte Kryeprokurorin e ri, Aleksander Lumezi.

Por, Zyra e Presidentes Jahjaga e ka demantuar Këshilltarin e Kryeministrit.

“Në emër të Presidentes Jahjaga flasin vetëm këshilltarët e saj të emëruar dhe autorizuar nga ajo vet dhe jo zyrtarë të tjerë nga jashtë kabineti i saj”, ka thënë Arbër Vllahiu, për Gazetën Express.

“Pavarësisht deklarimeve të kujtdo qoftë, Presidentja Jahjaga ka afatet e përcaktuara me ligj dhe vepron mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, në cilindo rast. Presidentja Jahjaga ende po e shqyrton propozimin e pranuar në Zyrën e saj nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe opinioni publik do të njoftohet me vendimin e saj nga vetë Zyra e saj”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese gjatë ditëve në vazhdim prite të publikojë vendimin për anulimin e zgjedhjes së Kryeprokurorit për shkak se nuk janë përfillur procedurat ligjore me rastin e zgjedhjes së Lumezit në pozitën e Kryeprokurorit.

Ndërkohë, në Këshillin Prokurorial po vazhdojnë të ballafaqohen dy klane se kush po e merr nën kontroll këtë mekanizëm. Ka pasur akuza se aty në fakt janë dy banda kriminale.