Vlime politike para seancës së 4 shtatorit

E publikuar: 31/08/2018 17:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shteti, sovraniteti dhe integriteti i tij janë të shenjta dhe në të njëjtën kohë edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, është i papranueshëm për Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje juridikisht obliguese ndërmjet dy vendeve, e cila është proklamuar nga presidenti Hashim Thaçi, nuk ka arritur të sigurojë unitetin e spektrit politik, e madje as partive brenda koalicionit qeverisës.

Veseli ka thënë se askush nuk ka të drejtë, legjitimitet dhe forcë që të bëjë pazare me Serbinë në dëm të Kosovës.

“Unë jam për Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për sovranitetin dhe integritetin territorial, të cilët janë aktualisht. Për aq sa kam fuqi, dije dhe mundësi, do të luftoj për shqiptarët tanë, aq më tepër për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që të trajtohen ashtu siç i trajtojmë ne serbët në Kosovë”, ka thënë Veseli.

Kuvendi i Kosovës, të premten, ka paralajmëruar se Kryesia e saj do të mbajë të hënën mbledhje, për të vendosur lidhur me kërkesën e partive opozitare për seancë të jashtëzakonshme.

Partitë opozitare kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me, siç është thënë, “angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Më herët, zyrtarët e partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë theksuar që “askush nuk ka mandat përtej Kushtetutës së Kosovës që të diskutojë për territorin, si dhe të negociojë për vijën kufitare”.

Por, kryetari i Kuvendit, Veseli, e ka konsideruar si një dëm të madh për Kosovën, thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme.

“Legjitimimi i temës së ndarjes në institucionin e Kuvendit, pa fakte, pa argumente dhe me Kushtetutën, si vend që e ka Kushtetutën e qartë, është inskenim i lojës, e cila për ne është e papranueshme, për ndarje, që është skenar jashtë interesave të qytetarëve tanë të Republikës së Kosovës dhe partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, ka theksuar Veseli.

Ai ka shtuar se PDK-ja konsideron që ngritja e kësaj teme në diskursin e brendshëm politik, do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut. Por, megjithatë, sipas tij, deputetët e PDK-së do të jenë të pranishëm në seancën e jashtëzakonshme për t’i shpalosur këto qëndrime të saj, siç ka thënë ai, me argumente.

Në anën tjetër, beteja përmes deklaratave, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi, ka vazhduar edhe të premten.

Kryeministri Haradinaj ka shkruar në rrjetin social Facebook se njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga marrëveshja që mund të arrijnë dy vendet.

Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve, siç ka shkruar ai, “është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, që çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”.

“U bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuuese për Kosovën, që t’i kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”, ka thënë Haradinaj.

Deklarata e tij ka ardhur një ditë pas deklaratës së presidentit Hashim Thaçi, i cili ka theksuar se çështjen e korrigjimit të kufijve do ta shtrojë në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që pritet të mbahet më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përfundimisht edhe zyrtarisht, i pëlqeu kjo dikujt ose jo, unë do ta shtroj kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që ajo pjesë t’i bashkëngjitet territorit të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi, ditën e enjte.

Ai, gjatë ditës së premte, përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB”.

“Fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai, gjithashtu, ka kritikuar opozitën dhe, siç është shprehur ai, “disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile” për shkak të reagimeve të tyre kundër idesë së “korrigjimit të kufirit”.

Sidoqoftë, shpalosja e kësaj ideje nga presidenti Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiq, ka nxitur mjaft reagime kundër kësaj ideje në Prishtinë, por edhe të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë. /REL