Vjosa Osmani përplaset edhe me deputetin e LDK-së: Hera e fundit që flisni në emër timin

E publikuar: 25/03/2020 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zhvillime dramatike janë duke ndodhur aktualisht në Kuvendin e Kosovës, teksa nuk po mungojnë përplasjet mes zyrtarëve të lartë të së njëjtës parti.

Ishte momenti kur deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj përmendi emrin e Vjosa Osmanit, që shkaktoi reagimin e ashpër të kësaj të fundit, shkruan lajmi.net.

“Ju edhe me gur shumë të mëdhenj e keni sulmuar Isa Mustafën duke ia rrezikuar edhe jetën. Por të gjitha këto ua fali LDK dhe Mustafa. Jam i zhgënjyer sepse vetëm për 50 ditë, ndoshta jo me fajin e juaj personal por edhe me oborrin që keni përreth jemi ardhë në një situatë ku duhet me e bë pyetjen se a duam të vazhdojmë me Amerikën. Elementi i dytë është se kryeministri ditën e shkel Kushtetutën, e në mbrëmje e shkel presidenti. LDK-ja është vërtetë fajtore sepse ju ka bërë kryeministër. Vjosa Osmani mund të na lëshohet në qafë, sepse ne e kemi bë kryeparlamentare”, tha Selmanaj.

E kjo më pas shkaktoi reagimin e Vjosa Osmanit, e cila tha se për qëndrimet e saja flet ajo vet.

“Vazhdo maje fjalimin por le të jetë hera e fundit që dikush flet në emër timin”, tha ndër të tjera Osmani teksa iu referua deputetit Selmanaj.

Ky i fundit ndër të tjera i bëri thirrje kryeministrit Kurti që ta ndalë atë që ai e quajti “industri propagandistike e VV-së”, ndërsa tha se i kanë ardhur 113 mesazhe nga militantët.

“Zoti Kryeministër na kishe ba nderë nëse e ndalni industrinë propaganduese. 113 sms-a me mesazhin e njëjtë, “mos ma vjedh votën mos u bo pjesë e planit”, më kanë ardhë”, tha ai.