Vjosa Osmani merr mbështetje nga Partia Popullore Evropiane në garën për kryeministre

E publikuar: 09/09/2019 10:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se kryetari i Partive Popullore Evropiane (EPP), Joseph Daul, i ka dërguar një letër urimi kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Në këtë letër ai ka uruar Isa Mustafën për rizgjedhjen si kryetar i LDK-së dhe i ka përgëzuar për nominimin e Vjosa Osmanit, si kandidate për kryeministre.

Duke i uruar rizgjedhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, presidenti Daul në urim ka thënë rizgjedhja në krye të LDK-së është dëshmi e stabilitetit dhe besimit nga delegatët e partisë.

“Rizgjedhja juaj në pozitën, të cilën e keni mbajtur nga viti 2010 është dëshmi e stabilitetit dhe besimit nga delegatët e partisë nën udhëheqjen tuaj. Është po ashtu testim i besimit që ata kanë në ju për ta drejtuar partinë tuaj në një periudhë vendimtare. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë mundësi për LDK-në që edhe një herë të qeverisë me vendin”, thuhet në urimin e Daul.

Ai, po ashtu, ka uruar LDK-në për përzgjedhjen e Vjosa Osmanit, si kandidate për kryeministre të Kosovës, duke thënë se beson që ajo do të jetë kryeministre e ardhshme.

“Besoj se Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së, do të jetë kryeministre e ardhshme, prandaj ju përgëzoj për këtë zgjedhje të shkëlqyeshme”, thuhet në urimin e kryetarit të Partive Popullore Evropiane. /GazetaExpress/