Vizat vitin tjetër, nëse plotësohen kriteret

E publikuar: 03/04/2015 09:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Nëse dëshironi zhvillim ekonomik, duhet të ndryshoni mentalitetin tuaj. Nuk mundeni që brenda natës të bëheni të pasur. Duhet shumë punë për të fituar”, kështu u ka thënë të enjten ambasadori holandez në Prishtinë, Robert Bosch, studentëve të kolegjit “Universum”, në Prishtinë.

Në një ligjëratë të hapur para studentëve, ambasadori Bosch tha se gjatë kohës së qëndrimit të tij në Kosovë, nuk ka vërejtur ndryshim sa i përket zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Unë nuk kam parë edhe aq zhvillim ekonomik në Kosovë prej se jam në vendin e juaj”, tha Bosch, sipas të cilit zhvillimi ekonomik është penguar më së shumti nga mungesa e sundimit të ligjit.

“Në vendin tuaj ka mjaft ligje të mira, por ato nuk implementohen. Biznesmenët e shtetit tim besojnë në kontratë, dhe nëse ajo nuk respektohet ata besojnë se problemin mund ta zgjedhin nëpërmjet gjykatës. E këtu, kjo nuk po ndodh, andaj edhe investitorët e huaj frikësohen të investojnë në vendin tuaj”, tha Bosch.

Por nuk është vetëm mungesa e sundimit të ligjit, që po pengon zhvillimin e vendit, por është edhe mentaliteti i kosovarëve.

“Nëse dëshironi zhvillim ekonomik ju duhet të ndryshoni mentalitetin tuaj. Nuk mundeni brenda natës të bëheni të pasur. Duhet të punoni shumë për të fituar. Mentaliteti këtu duhet ndryshuar dhe të mos mendohet se investimi mund të kthehet brenda natës. Ju duhet të punoni shumë që investimet t’i ktheni pas disa viteve”, u shpreh Bosch, duke kërkuar nga studentët e kolegjit “Universum” që të punojnë shumë më shumë që ta ndryshojnë mentalitetin e 90 për qind të kosovarëve që dëshirojnë të pasurohen brenda natës.

Ai foli edhe për liberalizimin e vizave, me ç’rast tha se mund të ndodhë vitin tjetër, por nëse Kosova i kryen detyrat e shtëpisë, nëse dëshirojnë të lëvizin lirshëm, drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

“Nëse ju i kryeni punët e juaja deri vitin tjetër, do të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët. E nëse kjo nuk ndodh edhe pas plotësimit të kritereve, atëherë faji është te BE-ja, atëherë mund të thoni se vendimi është politik dhe të fajësoni BE-në”, tha ai.

Duke komentuar deklaratën e ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni i cili ka thënë se edhe në rajon kishte korrupsion, por BE-së nuk i pengoi një gjë e tillë për t’ua liberalizuar vizat, ambasadori Bosch tha se “nuk është vetëm korrupsioni pengesë, por janë edhe detyrat tjera”.

Por një pengesë e rëndë për Kosovën në çdo aspekt sa i përket integrimit është mosnjohja nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së.

“Mjafton një shtet të thotë jo dhe të bllokojë një proces të Kosovës. Prandaj në rastin e Kosovës është më e rëndë situata”, shtoi ambasadori Bosch.

Sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Bosch tha se “një gjë të tillë duhet ta bëjnë kosovarët, që njëherë e përgjithmonë të mbyllet ai kapitull”.

Ai kujtoi kosovarët se më mirë është që vetë ata të themelojnë Gjykatën Speciale, e të mos u lënë të tjerëve ta bëjnë një gjë të tillë.