Vitet e humbura

18.09.2019 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vitet e humbura

Nga Shpend Elezi

Menjëherë pas mbarimit të luftës kishte një optimizëm të madh për të ardhmen e Kosovës. U çliruam nga okupatori dhe kishim mbështetjen e fuqive demokratike të botës. Ndihmat vinin nga çdo anë. U ndjente një shpresë dhe gëzim kolektiv i pa parë ndër gjeneratat tona, e krahasuar nga aspekti historik ndoshta vetëm me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në fakt ishte një përmbushje e atij gëzimi historik të cunguar të vitit 1912. Gëzimi ishte tepër i arsyeshëm, sepse pa marrë parasysh të drejtat tona, vuajtjet, poshtërimet dhe vrasjet, ne si popull ishim të pa përgatitur për të luftuar të vetëm për çlirimin tonë dhe vetëm kur politika gjenocide e Millosheviqit u ndërkombëtarizua filloj mobilizimi i botës demokratike për një përgjigje adekuate ndaj Serbisë. Shpresa ishte që të çlirohemi nga dhuna por ëndrra ishte të çlirohemi nga Serbia. Në ato vite ne pranonim edhe protektorat ndërkombëtar edhe kompromise tjera. Një konglomerat faktorësh ishte në favorin tonë, ishin vitet pas gjenocidit të tmerrshëm në Ruand dhe mos reagimi adekuat ndërkombëtar, blloku komunist u rrëzua dhe doli një Rusi mjaftë e dobësuar që nuk kishte peshën dhe ndikimin diplomatik dhe ushtarak të mëparshëm, çka ishte gjithashtu e rëndësishme, Rusin dhe Serbin i ndanin gjeografikisht shtetet që nuk ishin më aleat të paktit të Varshavës. Mandej, jo pak ndihmoj edhe vrazhdësia dhe jo shkathtësia diplomatike e Millosheviqit. Një faktor tjetër për mua i rëndësishëm, ishte edhe profili dhe botëkuptimet politike të udhëheqësve të shteteve perëndimore, po e mare si shembull Ollbrajtin dhe historinë e saj me kampet e përqëndrimit. Gjithë këto faktor mundësuan përshpejtimin e çlirimit tonë, tërheqjen e plotë të forcave serbe dhe në fund shpalljen e pavarësisë. Shikuar nga priza historike, dobësia e Shqipërisë në atë kohë dhe nga aspekti gjeopolitik, pavarësia jonë e plotë ka pas shumë pak gjasa të ndodhe por ja që ndodhi dhe më në fund edhe ne kishim një fat historik që na buzëqeshi.
Nacionalizmi dhe lufta zakonisht kompaktëson një shoqëri, e bënë më kohezive dhe zvogëlon jo barazinë sidomos atë ekonomike. Pas luftës së dytë botërore vendet perëndimore përjetuan një rritje ekonomike të pa parë ndonjëherë në historinë ekonomike të botës. Këto shtete zhvilluan programet e tyre zhvillimore dhe fillimisht edhe me ndihmën e SHBA, përmes planit Marshall, por më shumë me programet e veta arritën zhvillim ekonomik që mundësuan një mirëqenie sociale më të lartë në botë. Bruto Produkti Vendor (BPV) ishte për shumë vite mbi 5% e kishte vende dhe vite që ishte mbi 8%. Këto shifra u tejkaluan më vonë vetëm nga vendet e Azisë Lindore pasi gjetën një treg të madh në Perëndim. Rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të lartë pa rritje të popullatës në ekonomin industriale është e vështirë e ndoshta e pamundur të realizohet. Vendet evropiane dhe SHBA përjetuan rritje të popullatës pas luftës. Kjo, së bashku me programet zhvillimore, politika ekonomike adekuate, korrupsion të ulet, sundimin e ligjit dhe shteti funksional mundësuan zhvillimin e hovshëm të tyre. Deri në 2008 (Kriza e dytë e madhe ekonomike) një nga 5 shtetet në botë kane pas rritje ekonomike më të madhe se 7%. Afrika është kontinenti i fundit me radhë që po përjeton rritje ekonomike të përshpejtuar edhe pas 2008. Në shumë shtete afrikane BPV është më e madhe se 7%, ndërsa mesatarja për tërë kontinentin është 3.7% për vitin 2017, përafërsisht sa Kosova. Ngadalësimi i rritjes së BPV së përgjithshme në vendet e zhvilluara nuk do jetë më masë e vlerësimit ekonomik por do jetë BVP për banorë, sepse është e rëndësishme që prodhimi vjetor për krye banori të mos ulet në kushte kur prodhimi i përgjithshëm nuk mund të rritët kur ka mungesë të rritjes së fuqisë punëtore. Ekonomia digjitale me robotik dhe inteligjencë artificiale të avancuar mund të ketë dinamik tjetër por nuk jemi ende aty.
Po çka ndodhi me Kosovën në këto 20 vjet. Rritja ekonomike e jonë ka qenë tepër e pamjaftueshme, mezi është arritur BPV deri në përafërsisht 4%, ndër vite ka qenë edhe shumë më i ulët. Sipas vlerësimit të ekonomistëve kjo rritje duhet të vazhdoj për 30-40 vjet që të përafrohemi me vendet e zhvilluara me kusht që të mos ndërrojnë raportet e tanishme. Por edhe kjo ka pak të ngjarë sepse ekonomia, me investime të reja teknologjike, shumë më e zhvilluar në këto vende krijon përparësi komparative në shumë fusha në krahasim me vendin tonë. Mandej, numri i madh i rinisë dhe i të papunëve si fuqi punëtore e lire shumë shpejt po shuhet. Kjo ka qenë një ndër përparësitë më të mëdha që kemi pasur në tërheqjen e investimeve direkte të huaja.
Ne kemi pasur çdo mundësi të përjetojmë rritje ekonomike shumë më të madhe. Kemi pasur fuqi punëtore të bollshme, rritja e popullatës akoma është më e madhja në kontinent, afërsia gjeografike, popullata relativisht e shkolluar në krahasim me vendet Afrikane, remitencat ndër më të mëdha për krye banori në botë, ndihmat financiare jo të vogla ndërkombëtare si dhe infrastrukturë shumë më të zhvilluar se vendet Afrikane. Të dalë nga lufta me ekonomi tepër të dobët, ka qenë radha jonë që të bëjmë zhvillim të hovshëm ekonomik siç kanë bërë shumë shtete në botë. Dritarja e mundësive ekonomike nuk do mbetët e hapur gjithnjë. Në ndërkohë, rinia jonë gjithnjë e më shumë po ik nga shteti, humbja e shpresës është e madhe dhe kjo për shumë arsye, indinjimi i madh me faktorët politik, shëndetësi me shërbime të pamjaftueshme dhe të dobëta, sektori i edukimit me kualitet të dobët, me papunësi akoma më të madhe në Evropë dhe ndër më të mëdha në botë si dhe me shkallë të korrupsionit ndër më të mëdhatë në Evropë. A është kjo Kosovë që e kemi paramenduar kur u çliruam. A është kjo Kosovë që ëndërruan qindra mijëra shqiptar ndër shekuj e që luftuan, u syrgjynosën, e humbën jetën për këtë Kosovë. Në vitin 2000, po të thoshte dikush se ne do zhvilloheshim më ngadalë se shumë vende Afrikane do e kishim shpallur të çmendur, por ja që po ndodh. Dhe kësaj radhe, për fajin tonë e jo për shkak të padrejtësive të ndonjë konference paqësore ndërkombëtare.
Mos rritja apo zvogëlimi i fuqisë punëtore akoma pa arritur një zhvillim adekuat ekonomik do jetë shkatërrimtare për të ardhmen tonë. Kjo është një kurth që gjithnjë e më shumë e shtrëngon qafën tonë të brishtë.
Pse ndodhi kjo? Përgjigjja e menjëhershme dhe proksimale do ishte se politikanët tanë janë të korruptuar, se nuk kanë qa kokën për zhvillim të vendit por vetëm për përfitim për vete dhe të afërmit e tyre, se janë të pa përgatitur të udhëheqin shtetin, se kanë kapur shtetin, etj., etj. Por përgjigjja burimore e ultimative është shumë më e komplikuar.
Në fakt këto janë pasoja të dukurive më të thella shoqërore dhe biologjike.
Ne e fituam shtetin e shumë pritur dhe të vonuar në kushte të caktuara historike dhe social- psikologjike. Pa pandehur, të mësuar me shekuj të luftojmë shtetin pushtues duhej të ndërtojmë vetë shtetin. Ne nuk kemi memorie historike të ndërtimit të shtetin tonë autokton. Kishin kaluar shumë shekuj kur kemi pasur principatat feudale që në fakt nuk kanë qenë shtete të mirëfillta por më shumë prona private të aristokracisë së atëhershme. Numri më i madh i elitës sonë intelektuale ndër shekuj u shkollua dhe ndihmoj ndërtimin dhe forcimin e perandorive dhe shteteve të huaja. Mandej, gjatë dallgëve të mëdha historike shpesh jemi gjetur në anën e gabuar të historisë. Rasti më i fundit ka qenë kur në luftën e dytë botërore një pjesa e madhe e intelektualeve tanë u rreshtuan, ndihmuan apo ishin ambivalent ndaj pushtimit fashist. Në një mënyrë apo tjetër ndihmuan mbisundimin e lëvizjes komuniste dhe në këtë mënyrë gjasat për rezistencë të mirëfilltë të ndihmuar nga perëndimi mungoi dhe Kosova u nda përsëri nga Shqipëria dhe ajo vet mbeti në sundim diktatorial. Greqia shpëtoi për fije peri. Pas luftës së dytë botërore numër i madh i intelektualëve të paket që kishim në Kosovë u vranë, emigruan apo u internuan. Përsëri kishte ndërprerje të një traditë sa do të vogël intelektuale të ndërtimit të një shoqërie civilizuese. Numri i intelektualëve apo në përgjithësi njerëzve të shkolluar filloji ngadalë të rritët dhe sidomos pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, ky proces u përshpejtua. Se sa i qenësishëm dhe i nevojshëm ky proces ka qenë për Kosovën mjafton të ceket se në vitin 1945, nën 5% e popullatës në Kosove dinte shkrim lexim, ndërsa në Angli në vitin 1700 gati 50%, ndërsa në Amsterdam 70%. Për më tepër, ne ishim në pjesën e Evropës ku me shekuj nuk shfrytëzuam shtypshkronjën e Gutenbergut, nuk përjetuam Rilindjen Evropiane dhe Revolucionin Industrial. Erdhën vitet e 80ta të demonstratave dhe mandej shpërbërja e Jugosllavisë dhe themelimi i LDK si lëvizje gjithë popullore. Ibrahim Rugova me intelektual tjerë u rreshtua në mënyrë të drejtë dhe të plotë me Perëndimin dhe e bëri të mundshme që Kosova të perceptohet si pjesë e mundshme e influencës perëndimore. Por duhej edhe një shtyrje. Ne nuk ishim as Indi e Gandit as ndonjë faktor tepër i rëndësishëm strategjik për SHBA që vetëm me protesta paqësore të zgjonim reaksion zingjiror deri në sulm të një shteti zyrtarisht sovran të Serbisë. Thënë troç, duhej luftë, duhej rezistencë e armatosur, duhej gjak i derdhur si provë se liria jonë është e çmuar deri në sakrificën sublime tonën. E këtë e realizoj UÇK. Por, u lëshua rasti që ta kemi një lëvizje gjithëpërfshirëse të rezistencës së armatosur siç ishte rasti me Kroacinë e Tugjmanit. Kjo ndarje që ndodhi në popullin tonë na ka ndjekur dhe do të na ndjek për kohë të gjatë pas luftës. Pas çlirimit, një pjesë e mirë e kapitalit intelektual të Kosovës (aq sa kishte) nuk u angazhua në politik në mënyrë direkte. Nuk e morëm seriozisht faktin se zhvillimi i shtetit është i pamundur pa politik dhe pa parti politike të përgjegjshme. Në pushtet erdhën njerëz me kulturë të nderit dhe vlera ekzistenciale (Ingelhart) të shprehura.
Në fakt, në Kosovë, ne gati gjithë jemi me kulturë të nderit. Mbrojtja e familjes, të menduarit e shprehur me emocione, të gatshëm për ballafaqim fizik, mbrojtja e nderit nga cenimet verbale, paraprirje për hyrje në situata të rrezikshme dhe shfrytëzimi i rastit për përfitim të shpejtë dhe afatshkurtër janë karakteristika tipike për një shoqëri me kulturë nderi apo me vlera ekzistenciale për dallim nga shoqëritë me vlera vetë-ekspresioniste. Kjo kulturë krijohet për kohë të gjatë dhe është karakteristike për shoqëri që kanë përjetuar dhe përjetojnë situata ku cenohet dhe/apo perceptohet cenimi i sigurisë së tyre ekzistenciale si dhe me gjendje varfërie. Kjo kulturë, në të vërtetë, mendohet se është mekanizëm mbrojtës për mbijetesë. Në kushte të vështira duhet të mbijetosh duke shfrytëzuar çdo rast që të epet për të rritur gjasën e mbijetesës. Në kushte të cenimit ekzistencial nuk ke luksin të filozofosh por të veprosh sepse nuk mbijeton. Kjo paraprije nuk ndryshon vetëm sjelljen fizike por edhe mënyrën e të menduarit dhe strukturën e vlerave dhe normave në një shoqëri. Një ndër karakteristikat psikologjike të njeriut me këto vlera është edhe krijimi i rrethi të ngushtë e lojal të njerëzve siç janë familja e ngushtë dhe e gjerë si dhe shoke të ngushtë me të cilët të ka përpjekur jeta. Pak ka besim për zgjerimin e rrethit të kooperimit me njerëz tjerë për veç në raste të veçanta dhe specifike. Në kushte të skamjes, edhe po deshe nuk mundesh të kujdesesh për rreth të gjerë, por duhet përqendruar tek vetja, familja dhe fisi për të rrit gjasën e mbijetesës. Kjo mendësi ka qenë forma e zakonshme (difolte) e gjithë popujve në botë që prej evoluimit të Homo Sapiens-it. Duhej mbijetuar klani e fisi. Kjo mendësi nuk krijohet me përpjekje të vetëdijshme, por në nënvetëdije, me emocione dhe instinkte bazike.
Kooperimi nuk ka qenë problem në mes të njerëzve me lidhje gjaku deri të formimi i fiseve por pas shfaqjes së agrikulturës dhe krijimit të rezervave të ushqimit, gjithnjë e më shumë njerëz kanë jetuar së bashku pa pasur lidhje gjaku dhe këtu është shfaqur nevoja e krijimit të mekanizmave të reja shoqërore dhe kulturore për të mundësuar kooperimin në mes të njerëzve të huaj. Nga aspekti shoqëror, janë ndarja e punëve në kasta udhëheqëse me detyrë kryesore të ofroj mbrojtje fizike dhe te kasta e prodhuesve e shërbyesve, ndërsa nga aspekti kulturor, janë religjionet që nga ato primitive deri te ato monoteiste. Religjionet kanë qenë dinamika tepër të fuqishme kulturore që mundësuan në masë të madhe pacifikimin dhe kooperimin brenda një shoqërie duke i dhënë kastës udhëheqëse të drejtën hyjnore për qeverisje. Në kohën e mesjetës evropiane, në masë të madhe rëndësia e fiseve u shua dhe u zëvendësua me feudalizëm ku aristokratët kishin një rol mbrojtës dhe mbikëqyrës ndaj fshatarëve. Por në shumë regjione të botës fiset mbetën dhe vazhdojnë të jenë akoma struktura shoqërore që përcaktojnë organizimin bazik të vlerave dhe normave të shoqërive.
Me fillimin e revolucionit industrial dhe rritjes së produktivitetit dhe pasurisë, fillimisht, Evropa filloj të dalë nga bota maltusiane dhe ndarjet e punëve ndryshuan në mënyrë shumë të shpejtë dhe drastike. Filloj epoka e sekularizimit dhe ndërtimit të komb-shteteve me përgjegjësi të zgjeruar dhe sundimit më të madh të ligjit, filloj të bie rëndësia e religjionit dhe të rritët besimi në shtet. Sot, ku mbi gjysma e popullatave në shumë vende të Evropës perëndimore nuk besojnë në religjione tradicionale, shteti dhe kooperimi i brendshëm përmbush kushtet dhe nevojat e shumicës së popullatave të tyre për një mirëqenie të lartë. Ky besim në shtet nuk u krijua shpejt e lehtë, kanë qenë shekuj të tërë të mbushura me luftë e vuajtje por sot ky besim është i ingranuar thellë në kulturën e tyre. Ka rëndësi të madhe, që shumica e tyre e perceptojnë shtetin e tyre si garantuesin më të madh të mirëqenës së tyre, nuk është fisi apo rrethi i ngushtë i shokëve por gjithë shoqëria sepse ky bashkim krijon mundësi për një nivel shumë më të lartë të përparimit të shoqërive të tyre. Kjo nuk ka qenë e lehtë të arrihet, dhe në fakt pak janë shtete që kanë këtë besim të lartë të krijuar në kombet e tyre. Perceptimi i rrethit se kush jemi Ne dhe kush Ata (të huaj, kundërshtaret) është zgjeruar nga familja te komb-shtetet.
Pse është kaq e vështirë të krijohet ky besim? Perceptimi se kush jemi Ne dhe Ata ka një bazë të fuqishme evolutive dhe është pjesë përbërëse e natyrës së njeriut. Ky perceptim ndihmoj bashkësitë e ndryshme njerëzore për mbijetesë që nga krijimi i njeriut modern, por përderisa ka qenë i rëndësishëm në periudhat e ndryshme historike ku bashkësitë kanë qenë zakonisht familjare, në jetën e sotme në shtete, është burim i shumë fenomeneve negative.
Klasifikimi i njerëzve në Ne dhe Ata ka rrënjë të thellë biologjike. Me miliona vite humanoidët dhe humanët kanë luftuar në mes grupeve. Vetëm grupet më të fuqishme dhe mirë të organizuara, lojale me njëri tjetrin, të gatshëm për sakrificë maksimale, kanë mundur të mbijetojnë duke eliminuar edhe fizikisht kundërshtarët. Ne jemi gjithë pasardhës të këtyre dinamikave shoqërore. Kërkimi dhe identifikimi efikas i shenjave dalluese në mes njerëzve ka qenë përparësi për mbijetesë. Një eksperiment me fëmijë të shkollës fillore në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar është shumë i njohur. Fëmijët, shokë të klasave, janë ndarë në dy grupe për të luajtur lojëra të ndryshme dhe i kanë dhënë fanella me ngjyrë të ndryshme, i kanë lënë pa mbikëqyrje dhe nuk është ndërhy fare, fëmijët kanë mbërri deri në fazën e kacafytjeve fizike në mes grupeve me fanella të ndryshme. Ka mjaftuar dallimi në ngjyrë të fanellës që të identifikohet kush është mik e kush armik edhe pse ishin shoke klase. Këso lloj eksperimentesh dhe observimesh ka me qindra në literaturë por këto fenomene ndarëse edhe i vërejmë në jetën e përditshme, si p.sh. qytetar e katundar, luftëtar e zoragji, i bardhe e i zi, i partisë sime dhe hiqat etj. Kjo ndarje bënë ndryshim të jashtëzakonshëm në mënyrën e të menduarit. Për pjesëtarët e grupit tonë në kemi mendim favorizues, besim të madh në njeri tjetrin, kur bëjnë gabime mundohemi të i minimizojmë dhe arsyetojmë apo fare të i neglizhojmë ndërsa për Ata kemi paragjykime të pabazuara në fakte, nuk i besojmë, dobësitë e tyre i stërmadhojmë dhe veprimet e mira apo të drejta të tyre i neglizhojmë.
Çfarë ndërlidhje kjo natyrë njerëzore ka me besimin në shtet? Në çoftë se shumica e pjesëtarëve të një shoqërie identifikojnë shtetin dhe kombin si masë apo kufij dallues më të rëndësishëm në ndarjen mes Neve dhe Atyre atëherë edhe paraprirja për veprimet që i bëjmë janë më shumë në funksion të mirëqenies së kombit por në qoftë se rrethi apo shenja identifikuese për ndarje në mes Neve dhe Atyre për një shoqëri është rrethi i ngushtë i familjareve, fisit dhe miqve, atëherë veprimet e tyre kanë predispozitë të favorizojnë më shumë këtë rreth. Ky grup i fundit në politike do ketë gjasë më shumë të bëjë veprime që karakterizohen me nepotizëm, kronizëm dhe korrupsion. Por ky grup do karakterizohet edhe me veprime të ditëpërditshme jetësore si p.sh. mosmirëmbajtja adekuatë e pasurisë shoqërore, hajni në pasurinë shtetërore por edhe privatë te të tjerët, mos rruajtja e ambientit, etj. Natyrisht, çdo komb për të rritur gjasat për përparim duhet të ketë më shumë njerëz që identifikojnë shtetin si nocion sublim bashkimi dhe kooperimi. Si duket një numër i madh i qytetarëve në Evropën perëndimore kanë këtë ndjejnë identifikimi dhe besimi në shtet. Por shumica e pjesëtarëve të popujve në botë nuk e kanë këtë identifikim dhe besim në shtet. Siç duket edhe tek ne është e njëjta gjendje.
A ka shpresë për ndryshim? Njeriu ka një ndjenjë shumë të zhvilluar për drejtësi dhe padrejtësi, edhe kjo është natyrë e njeriut, thellë e ingranuar në gjenet tona. Këtë më së mire e kanë dëshmuar eksperimente të shumta shumë të njohura në fushën e ekonomisë dhe psikologjisë, si ato me lojërat e ashtuquajtura të diktatorit dhe të ultimatumit. Robert Axelrod me bashkëpunëtor dëshmoji, te eksperimenti që quhet dilema e të burgosurve, se mënyra më e mirë për kooperim në mes njerëzve që kanë interaksione të vazhdueshme është strategjia -ma bënë, ta bëjë- (Tit for Tat). Që do thotë, e shpjeguar thjeshtë, në qoftë se më ke tradhtuar apo mashtruar njëherë, herën tjetër do ta kthej me të njëjtën masë. Asnjë strategji tjetër nga të shumtë që konkurruan nuk dhanë rezultate më të mira në funksion të kooperimit afatgjatë. Si pasojë, është në natyrën e njeriut të mos besoj në njeriun apo institucionin që nuk është i drejtë dhe fer, dhe kur në kushte të mosfunksionimit adekuat të shtetit dhe kur nuk mund të krijohet besim adekuat, fillon qarku vicioz i degradimit të mëtutjeshëm. Si pasojë, në qoftë se shteti nuk përmbush nevojat për drejtësi të paanshme dhe nuk ka qasje fer ndaj qytetarëve besimi në shtet nuk mund të krijohet. Mjafton edhe vetëm percepcioni, pa fakte konkrete, që dikush ka mashtruar e nuk është dënuar që besimi ndaj institucioneve të shkrihet shumë shpejtë dhe të dominoj drejtësia me sjelljet difolte të traditës më të hershme. Pra, krijimi i shtetit funksional është parësor për zhvillim shoqëror të rëndësishëm.
Por, si të krijohet ky shtet? Shumë shtete evropiane nën regjime pak a shumë autokratike kanë kaluar në sfida të ndryshme historike dhe krijimi i shteteve të tyre demokratike është bërë pasi që kanë pas një zhvillim ekonomik, edukim të vazhdueshëm dhe ndryshim të vlerave dhe normave shoqërore, dhe vetëm me krijimin e masës kritike të klasës së mesme dhe kërkesave të këtyre masave është bërë kalimi në demokraci liberale të qëndrueshme. Por, para këtij kalimi, këto shtete kanë krijuar traditë të qëndrueshme të funksionimit të institucioneve dhe të sundimit me ligj. Në shumicën e vendeve në botë ku është vendosur demokracia pa ndryshime të nevojshme shoqërore kanë përfunduar në shtete të dobëta apo të dështuara.
Në një shoqëri me vlera ekzistenciale predominante dhe pa kulturë shtetërore (që nënkupton rrethin e ndarjes në Ne së paku deri në shtet) ka një gjasë më të madhe që në partitë politike më shpesh të hyjnë njerëz me rrethe të ngushta, për pasoj, shtetin e kanë instrument shfrytëzimi për përfitim vetanak dhe grupor e jo përparim gjithëkombëtar. Këto parti, duke menduar në mënyrë të ngjashme me shumë votues, kanë gjasa më shumë që turbo popullizmi i tyre të rezultojë më me shumë vota sepse e kuptojnë më mirë numrin e madh të votuesve me nevojën se çka dëshirojnë të dëgjojnë, cilat janë vlerat dhe kërkesat e tyre. Në qoftë se do ketë ndonjë lider i ndonjë partie që do ketë me të vërtet kulturë shtetërore, e ka më vështirë të marri vota të nevojshme për fitore. Në mënyrë hipotetike, ta paramendojmë që kancelaria Merkel vije në Kosovë dhe formon parti dhe thotë se do ta kemi jetën e vështirë edhe për shumë vite e slogani i fushatës zgjedhore të jetë: Djers dhe punë për Kosovën tonë kreshnike. Populli i zhytur në mjerim nuk dëshiron ta dëgjoj këtë, dëshiron shpresë, dëshiron ëndrra të këndshme. Nuk e ka mundësin, për shkaqe reale, të ketë njohuri të nevojshme për ekonomin dhe politiken, prandaj shpesh nuk e kupton arsyen e vërtet pse vuan e të tjerët kanë jetë më të mire. E në fund ia jep votën partisë më populliste që e shkakton këtë mjerim, por ama, ajo parti së paku i jep ëndrra të ëmbla. Populli do mashtrohet njëherë, e disa herë, por, në mungesë të alternativave edhe shumë herë. Ndërsa, gjithnjë në mënyrë hipotetike, lideri i partisë me kulturë shtetërore, pas humbjes, ndalet e mendon se ku nuk e kanë kuptuar, si nuk po e kuptojnë se çfarë plane zhvillimore të shkëlqyera ka bërë, si nuk po e kuptojnë se po zhvatën, se korrupsioni po i gërryen. Në fakt, është e kundërta, ky lider nuk kupton, nuk e ka marrë parasysh vendin dhe kuvendin, nuk ka marrë parasysh historinë, nuk ka mare parasysh natyrën e njeriut dhe nuk ka mare parasysh vlerat dhe normat lokale të popullit.
Për ta komplikuar situatën akoma, ja që ka ndodhur mrekullia dhe fitoi lideri fisnik. Ai shumë shpejt do e kuptojë se pa institucione të forta është e vështirë ta mbash dhe fitosh pushtetin pa popullizëm dhe klientelizëm në vendet me demokraci të hershme. Pas marrjes së pushtetit, shumë nga shokët e tij të ngushtë por edhe shumë njerëz tjerë në kaskadën e hierarkisë po e tradhtojnë, janë korruptuar, punësojnë familjar dhe miq, dhe në fund partia e tij në pushtet kritikohet njësoj si partitë politike paraprake. Ai/ajo e kupton, se pa numër kritik të njerëzve të duhur, gjërat dalin jashtë kontrollit, se korrupsioni dhe kapja e shtetit është e njëjtë sikurse me paraardhësin e tij. Ai e vërejti se me vendosjen e udhëheqësve me meritë nëpër institucione të rëndësishme shtetërore rrezikon të humb votat e zonave të shumta për shkak se nuk u zgjodhën njerëzit e tyre në pozita. Periudha 4 vjeçare kaloi shpejtë e në zgjedhje të reja lideri u ballafaqua me dilemën a të bëjë premtime klientelistike apo të qëndrojë stoik dhe me gjasë të humbas zgjedhjet. Znj. Merkel do kthehej pas një viti në Gjermani e zhgënjyer dhe e thyer. Nuk mjafton vetëm emri me reputacion i znj. Merkel në qoftë se nuk ka institucione solide të vendosura. Ajo mendoi se do merret me programe zhvillimore por u murrë me mikromenagjim dhe intervenca të paskajshme.
Këto janë një ndër dilemat pse është tepër e vështirë, në kushte si tonat, të gjesh liderë që kanë qëllim fisnik, kanë aftësinë të krijojnë ekipe me njerëz adekuat dhe njëkohësisht aftësinë e mobilizimit masovik të popullit.
Ironia qëndron në faktin se deri në çlirimin i Kosovës kultura e nderit dhe vlerat ekzistenciale, tek ne, kanë ndihmuar në rruajtjen e substancës kombëtare në kushte jashtëzakonisht të vështira ndër shekuj. Kjo kulturë ka tendencë të jep luftëtarët më guximtar dhe më të gatshëm për sakrifica të mëdha sepse krijon solidaritet grupor më të madh, refuzimin e të huajve dhe kanë bindje e dëgjueshmëri ndaj liderit të fortë. Por tani kjo kulturë është penguese për shtetin tonë.
Pse është kaq e vështirë të krijohen shoqëri të zhvilluara? Kushtet e jetës kanë ndikim shumë më të thellë se që është menduar më parë në psikologjinë dhe sjelljet e qenieve njerëzore. Në veçoritë biologjike, përveç tendencave të formimit të grupeve dhe të menduarit në grup (group thinking), eksitojnë edhe disa fenomene tjera interesante që plotësojnë tablonë e natyrës së qenieve të gjalla duke përfshirë njeriun. Në biologjinë evolutive, fillimisht te kafshët, është parë që në mënyrë instiktive pjesëtarët e të njëjtit lloj zhvillojnë strategji të veçanta jetese kur jetojnë në kushte më të sigurta, me ushqim të bollshëm e siguri fizike më të lartë, dhe ndryshe kur këto janë të cenuara. Si duket ka një fleksibilitet të zhvillimit fenotipik në kushte të ndryshme të mbijetesës edhe pse gjenotipi është i njëjtë (pa dallime gjenetike sinjifikante). Sjelljet e kafshëve, por ka indikacione të forta edhe të njerëzit, ndryshojnë kur kushtet e mbijetesës vështirësohen. Ato bëjnë pasardhës më herët në jetë, bëjnë pasardhës më shumë, dhe kujdesën më shkurt për pasardhësit (investimi parenteral është më i shkurt). Ndërsa te njerëzit, përveç këtyre sjelljeve, kemi promiskuitet më të lartë, shtatzëni adoleshente më të shpeshtë, agresivitet më të lartë, kriminalitet më të lartë, dhe tendencë për përjetim të kënaqësive, më herët se sa më vonë, d.m.th. të shfrytëzohet situata kur të vije e jo të mendohet për më gjatë. Në shkencat evolutive kjo dinamik shpjegohet me teorinë e historisë së jetës, është teori e re që ka fillet nga vitet 70ta por që kohëve të fundit është bërë mjaftë aktuale dhe sidomos në fushën e psikologjisë, është teori me shpresëdhënëse në shpjegimin e dallimeve të personalitetit në mes njerëzve. Në kushte kur mbijetesa është e pasigurt dhe vdekja mund të vije e hershme, është investim më i sigurt për të grabitur çdo mundësi edhe qofshin ato me rrezikim të lartë për të rritur gjasën e mbijetesës sepse me vonë mundtë të mos vije rasti. Edhe pse kushtet e vështira kanë qenë në një periudhë të jetës, sjelljet e njeriut mund të vazhdojnë të njëjta tërë jetën edhe pse ka ndryshuar mjedisi. Nga pjesa dërmuese e shkencëtarëve, sot pranohet që kushtet e ambientit ku rritemi dhe zhvillohemi ndikojnë shumë më tepër në sjelljet tona se sa që është menduar disa decenie më parë. Prandaj, është ky fleksibilitet i adaptimit të qenieve të gjalla në ambiente të ndryshme e jo dallimet gjenetike që krijojnë laramanin e sjelljeve në shoqëri. Nuk u gjetën asnjëherë dallime sinjifikante gjenetike në mes njerëzve në të gjithë kontinentet. Në fakt, akoma për dike është çudi e madhe se 95% e ADN së njeriut është krejtësisht e njëjtë me shimpanzenë.
Edhe më fascinuese është fusha e Epigjenetikës. Ambienti i jashtëm ndikon që disa lloj gjene të jenë më aktive e disa të pasivizohen. Përmes metilimit të ADN dhe ndryshimeve në ARN, ekspresioni apo aktivizimi i gjeneve ndryshon edhe pse ato vetë nuk ndryshojnë (nuk ndodhë mutacioni). Ajo çka është karakteristike dhe e veçantë është se këto ndryshime të krijuara herët në jetë mund të zgjasin deri në vdekje, por është parë që mund të bartën edhe në disa gjenerata konsekutive të pasardhësve. Është parë që edhe te njerëzit epigjenetika mund të influencoj zhvillimin fenotipik dhe ka indikacione se mund të ndikoj në vetitë dhe sjelljet tek njerëzit.
Këto shtjellime biologjike tepër të shkurta demonstrojnë se sa është përparuar në shpjegimin e sjelljeve të qenieve të gjalla karshi ambienteve të ndryshme të jetës. Por akoma mbetët shumë gjëra për të u hulumtuar.
Për me tepër, jo vetëm në shkencat biologjike por edhe në shkencat politike dhe sociale ka studime të bollshme për të ilustruar ndikimin e ngjashëm të ambientit tek sjelljet e njerëzve, Ronald Inglehard me bashkëpunëtor me punime gjigante në më shumë se 100 vende të botës demonstroi se vlerat dhe sjelljet e njerëzve ndryshojnë në varësi se sa mbijetesa është e sigurt. Pra në kushte të cenimit të kësaj mbijetese njerëzit kanë vlera ekzistenciale, tendencë që mendimet në grup të jenë më të shprehura dhe kohezive, jo toleranca ndaj të huajve të jetë më e lartë dhe nënshtrim ndaj liderit të fortë të jetë më i shprehur. Këto tendenca janë të shprehura te popujt me mbijetesë të vështirë, por është vërejtur se edhe te popujt me mbijetese të sigurt, kur është përkeqësuar situata ekonomike apo politike, këto vlera kanë zëvendësuar vlerat e vetë-ekspresionit. Kështu e shpjegojnë këta shkencëtar rritjen e popullizmit dhe degradimin e demokracisë në shumë vende të botës sot.

Duke marrë parasysh historinë tonë dhe gjendjen shoqërore-ekonomike nuk gjeta askund nga studiuesit e demokracisë se gjendja jonë ka qenë adekuate për implementimin e demokracisë liberale të mirëfilltë. Siç u cekë edhe më herët, studiuesit kanë vërejtur fenomenin që te popujt që nuk arrijnë të krijojnë një klasë të mesme solide, edukim adekuat dhe institucione solide atëherë zgjedhjet në sistemet demokratike vetëm mundësojnë fitoren e grupeve më mirë të organizuara e që shpesh këto grupe janë me elemente mafioze dhe me turbo popullizëm. Grupet shumë mirë të organizuara zakonisht kanë një motivacion të fortë e të qartë për veprim, ky motivim mund të jetë mbrojtja e atdheut, mbrojtja e fesë, pasurimi i shpejtë, etj. Për më tepër, në këto vende një pjesë e madhe e votuesve nuk votojnë për programe partiake por votojnë në bazë të lidhshmërisë së tyre familjare, fisnore, miqësore dhe të interesit vetanak, aty ku qëndron motivacioni më i fortë. Ndërsa, disa grupe të qytetarëve tjerë duke mos pas besim dhe shpresë për ndryshime thjeshtë bojkotojnë zgjedhjet.
Por, ne nuk kemi alternativ më të mirë, demokracia liberale është rruga për të u vazhduar, alternativat tjera kanë rrezikshmëri tepër të lartë. Sidoqoftë, me vërejtjet e mësipërme, dëshiroja të potencoja se ku qëndrojnë sot njohjet dhe vrojtimet e politologëve të njohur në botë karshi situatës sonë dhe sa e vështirë është implementimi i standardeve të larta demokratike.
Nga shtjellimet e sipërme imponohet një mendim, se trajektorja e deritanishme e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Kosovë ka qenë e pritshme dhe e zakonshme, siç ka ndodhur dhe po ndodhë me gjitha regjionet me kushte të ngjashme. Kapja e shtetit ka qenë produkt më i mundshëm bazuar në rrethanat historike, shoqërore dhe ekonomike por jo edhe i domosdoshëm.
Po çfarë dimë për teoritë e zhvillimit shoqëror, si zhvillohen shtetet? Në fakt, po përdori klasifikimin e Stephen Krasner që më duket është më adekuat. Ai ndan të gjitha hulumtimet e zhvillimit në tre kategori të mëdha, në teorinë e modernizimit, zhvillimi i kapaciteteve të institucioneve dhe në ujditë apo pazarllëqet e elitave. Asnjë nga këto teori nuk është e plotfuqishme dhe efikase në mënyrë universale, secila nga këto shpjegon disa fenomene por dështon në disa tjerë. Prandaj sot në shkencat shoqërore- politike nuk ka formulë 100% të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për të përdorur për zhvillim të shpejtë të një shoqërie. Megjithatë, fillimisht për të filluar procesi i zhvillimit, fitohet përshtypja, se secila nga këto teori shpjegon me mire zhvillimin e një shteti apo regjion të caktuar në bazë të rrethanave dhe kushteve të caktuara në atë vend. P. sh., teoria e modernizimit shpjegon ndoshta më mirë fillimin e zhvillimit të SHBA-ve, teoria e zhvillimit të kapaciteteve institucionale shpjegon më mirë zhvillimin e disa shteteve evropiane ndërsa teoria e ujdisë së elitave atë të Britanisë së Madhe. Por, patjetër duhet të ketë lidhshmëri të këtyre dinamikave sepse në fund të fundit njëri pa tjetrin faktorë, në vazhdim të procesit të zhvillimit, nuk ka gjasa reale të vazhdojë. Por, asnjë nga këto teori nuk shpjegon në mënyrë të kënaqshme çka ishte qenësore në nxitjen fillestare të këtyre zhvillimeve. Acemoglu dhe Robinson nuk pranojnë shumë teorinë e ndikimit gjeografik të Jared Diamond-it në zhvillimin diferencial në mes regjioneve por pranojnë se edhe rastësia historike ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin e institucioneve inkluzive ose ekstraktive. Kjo nuk është shumë inkurajuese. Fukuyama bënë një analize të detajuar dhe fillimisht niset nga natyra biologjike e njeriut për shpjegimin e sjelljeve dhe fenomeneve politike. Ai potencon seleksionimin farefisnor dhe altruizmin reciprok si veçori themelore të organizimit shoqëror, dhe kjo e vendos në pozitë më të mirë që të shpjegoj fenomenet e ndryshme politike.
Këto teori janë zhvilluar nga shkencat shoqërore dhe politike nga studimi historik i shteteve gjatë shekujve, që për Kosovën me kushte specifike të saj nuk mund të transkriptohet në tërësi. Megjithatë, duhet gjetur strategjinë e zhvillimit të përshpejtuar. Së pari, duhet të nisemi nga problemet më të mëdha. Korrupsioni ndikon drejtpërdrejt në kaskadat e zhvillimeve ekonomike, ndërsa nepotizmi, kronizmi e klientelizmi ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe ligjshmërisë. Për me tepër, këto faktorë janë të ndërlidhura dhe ndikojnë gjithashtu në njëri tjetrin. Në vendin tonë vërehet edhe mungesa e mobilizimit të shtresave të reja shoqërore, mungesa e trashëgimisë së fortë institucionale dhe ligjshmëria efikase. Por, mbi të gjitha, e ndoshta shkaktar më i rëndësishëm i problemeve tjera është sistemi i vlerave dhe normave sociale që përcaktojnë sjelljet tona, të krijuara për një kohë të gjatë e shumë negative për kohën e tanishme. Lajmi i mire është se ka shumë shembuj në botë që kanë bërë ndryshime sinjifikante të vlerave brenda 40-50 vjet. Nuk kam gjetur më shpejt se kaq. Një ditar i njohur i një oficeri anglez i vitit 1800 është mjaftë ilustrues. Ai përshkruan kontaktin me një banues në territorin e Gjermanisë së sotme. Përshtypja e tij ishte se ky banues ishte një njeri që të gënjen në sy pa asnjë ngurrim, të mashtron sa herë i epet mundësia, është gjaknxehtë, zihet për një fjalë, dembelë dhe agresiv. Një mikut tim ky ditar gjithmonë i duket sikur i përshkruan ca banues të trojeve tona në kohën tonë. Por ky ditarë duhet shikuar nga konteksti historik dhe shumë shpejt ato territore kapën zhvillimin industrial të Anglisë dhe situata e sjelljeve ndryshoji shpejtë. Këto ndryshime janë arritur gjithnjë me intervenime të forta shtetërore e shumë shpesh në mënyrë autoritare. Pak shtete të reja kanë filluar zhvillimin e hovshëm si demokraci liberale. SHBA ka filluar si shtet i pavarur demokratik (i cunguar fillimisht me të drejtë vote vetëm për një shtresë të popullatës) por ka kaluar një periudhë kohore mbi 100 vjeçare deri sa ka filluar zhvillimi i hovshëm edhe atë mbas periudhës me korrupsion, nepotizëm, klientelizëm e kronizëm të madh.

Cila strategji e zhvillimit të përshpejtuar do ishte më e mundshme në Kosovë pa regjim autoritar? Zhvillimi i shpejtë i një shteti në kushtet tona, e për shkaqe të lartpërmendura, nuk është fare i lehtë, pak shtete e kanë arrit. Duke mare parasysh gjithë këto faktorë dhe teori të zhvillimit, natyrën e njeriut si dhe historinë tonë, nuk mund e të mos më imponohet ideja se po deshëm zhvillim të mirëfilltë të shoqërisë sonë kemi vetëm pak mundësi zgjidhjeje për zhvillim të përshpejtuar. Partitë politike fituese të zgjedhjeve duhet të angazhojnë gjithë potencialin kombëtar për zhvillim të shoqërisë. Ne nuk jemi në stadin e nevojshëm të zhvillimit ku partitë bëjnë politik partiake në pozitë vetëm sipas programeve të tyre paraprake të formuluar në zyrat e tyre pa konsultime gjithëpërfshirëse jashtë partiake. Në sloganet e tyre nuk duhet të dominojë prioriteti i partisë. Nuk bëhet fjalë këtu për ndryshime korrigjuese mbi një politik paraprake të vendosur. Partitë fituese duhet të jenë ndërmjetës dhe organizues të një mobilizimi gjithëpërfshirës me ekspertët më të mire që i kemi në gjitha fushat, me konsultime të gjëra edhe me ekspert të huaj të zgjedhur, e jo vetëm me militant e ekspertë të tyre, për një plan gjithëpërfshirës të zhvillimit të përshpejtuar. Në më së paku 10 vitet e ardhshme duhet të funksionojmë si një trup dhe mision kombëtar me formulimin dhe implementimin e programeve më të mira të mundshme ekonomike dhe joekonomike të dala në konsultimet gjithë kombëtare por edhe ndërkombëtare. Të organizohet ky proces nga partitë në pushtet dhe të ftohet edhe opozita por të formulohet dhe implementohet, me autonomi të plotë, nga trupat e krijuar nga ky konsultim gjithëpërfshirës. Gjithashtu, është tepër e nevojshme të formohet komision i pavarur për vettingun në gjyqësor, komision i pavarur për vlerësimin e tenderëve më të mëdha se 50.000 Euro, dhe komision të pavarur për emërime të larta. Në këtë mënyrë, ka të ngjarë, që ndikimi i politikave fisnore do të minimizohet. Kërkesa e votuesve të ndryshëm për punësime dhe favore të ndryshme do të zvogëlohet dhe rrjedhimisht edhe nevoja për politik populliste, sepse asnjë parti nuk do mund të i akomodoj këto kërkesa si më parë. Hyrja e spektrit të gjërë të shoqërisë sonë në këtë organizim siguron qëndrueshmëri dhe irelevancën e fitimit elektoral për një kohë sepse nuk do implementohen vetëm politikat partiake por programi e misioni kombëtar. Nuk do i epet hapësirë premtimeve populliste të ndikojnë në programin kombëtar pas ndërrimit të pushtetit në zgjedhjet konsekutive. Ky është një propozim që në kushtet tona e shoh si më me potencial për ndryshim të shpejt vlerash dhe zhvillim të hovshëm. Kjo formë e veprimit ka mundësinë që të minimizoj dobësitë dhe pa përgatitjen tonë karshi implementimit të demokracisë së përparuar liberale dhe zhvillimit të shpejtë ekonomik. Dikush mund ta quaj këtë propozim si qeverisje teknike pa qeveri teknike, dhe mund të ketë të drejt. Dikush tjetër mund ta quajë si simulim të programeve të regjimeve autokratike por me metoda dhe konsensus demokratik, dhe mund të ketë të drejtë. Gjithashtu, ky propozim mund të duket naiv karshi vështirësive të cekura më lartë, por shpresa për ndikim madhor të liderëve largpamës për mision kombëtar dhe mobilizim masiv nuk duhet të shuhet. Megjithatë, zgjidhje tjetër nuk duket në horizont. Po nuk shfaqen në skenën politike lider që do e shohin problemin tonë në mënyrë gjithëpërfshirëse, ne do mbetemi për kohe të gjatë në situatë të njëjtë me zhvillim joadekuat.

Por, më duhet të pranojë, kjo ka pak mundësi të ndodh duke u bazuar në përvojën e deritanishme tek ne dhe tek të tjerët. Por, të flasim se çka është më e mundshme të ndodhë tani në Kosovë nën dritën e një përmirësimi të klimës politike dhe temave që diskutohen. Edhe mund të fitojnë liderët e një koalicioni që vërtetët kanë synim luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin tonë, por do ta kenë shumë vështirë të gjejnë njerëz të sinqertë dhe adekuat pa mobilizim jashtë partiak që vërtetë do implementojnë detyrat e tyre. Në vendet si tona, nga shkaqet që u diskutuan më lartë, ka gjasa, që vetëm një pakicë e vogël e njerëzve të angazhuar në politikë mund ta refuzojnë zarfin e mbushur plotë me para. Aq më shumë, në vendet si tona, ku siguria materiale përmbushet nga lidhjet apo angazhimi i drejtpërdrejt në politikë, e bënë akoma më të vështirë këtë detyrë sepse njerëz të tillë në politik, ka gjasa, të jenë me numër të madh. Shteti shihet si burim më i sigurt i punësimit dhe përfitimit, e kjo është negative për zhvillim të përshpejtuar. Më tutje, ka edhe një numër të njerëzve të sinqertë që janë angazhuar në politikë por të mbyllur në gëzhojën e mendimeve dhe ideve të tyre bashkë me rrethin e tyre (parti apo grupe me të menduarit në grup të theksuar- group thinking) mund të implementojnë programe që mund të jenë jo të përshtatshme apo edhe të dëmshme për zhvillim, gjithnjë me qëllim të mirë duke menduar se janë në rrugë të drejtë. Ka edhe njerëz që kanë anshmëri (bias) të theksuar të optimizmit dhe mendojnë se ata janë më të thirrurit për ndryshim të madh të vendit. Prandaj, ai entuziazmi i madh e i sinqertë i fillimit, ka gjasë, të shndërrohet edhe në një deziluzionim të radhës. Ndoshta, në rrugë e sipër do ketë zhvillim të ngathët por me probleme të mëdha sociale. Mjafton të shikohen zhvillimet e ngjashme në gati gjitha vendet ballkanike por edhe më gjërë që të konkludohet se ky variant ka gjasa më shumë të ndodhë. Nuk është se shtetet tjera nuk kanë pak a shumë këso probleme por shtetet e zhvilluara kanë gjasë më shumë të i mbijetojnë dhe tejkalojnë këto fenomene ndërsa për neve pa institucione të forcuara janë me pasoja shumëfish më të dëmshme.
Po të kemi para syve një pasqyrë të thjeshtë të teorisë së kompleksitetit do të kuptojmë se një shoqëri njerëzore është strukturë shumë e lartë e organizimit ku ndodhin me miliona interaksione të dyanshme në mes elementeve përbërëse të shoqërisë, prandaj, do ishte tepër e domosdoshme që të kemi një respekt dhe përulësi për zhvillimin e shoqërisë tonë. Me sa lehtësi e gati arrogancë liderët e deritanishëm merrnin timonin e udhëheqjes së shtetit pa treguar asnjë shenjë të përulësisë ndaj detyrës së marrë. Funksionin e marrë e shndërruan si fitore të klanit të tyre e jo si detyrë të vështirë të zhvillimit të shtetit.

Përkundër gjitha këtyre vështirësive akoma tek ne duhet të mbetet shpresa, së bashku me angazhimin tonë më të madh, e mundësisë së shkrepjes së një drite që do ndryshoj situatën tonë e do dalim nga amullia që jemi futur. Pa këtë shpresë do humbte çdo kuptim i shumë veprimeve gjatë jetës tonë e ndoshta edhe jetës tonë.

Si përfundim, nën dritën e ndryshimeve marramendëse në botë ne jemi tepër të ngadalshëm dhe të vonuar. Në këtë kontekst, i quaj këto 20 vitet e kaluare si vite të humbura për një Kosovë e Shqipëri të fuqishme që do jenë pjesë e zgjidhjeve të problemeve të botës demokratike e jo fundërrinë e Evropës.
Por, së paku të pajtohemi, se shtetit tonë i duhet një ndërgjegjësim politik dhe mision kombëtar me mobilizim sikur që mobilizohet një shtet për luftë, me gjitha resurset e mundshme. Ne kemi nevojë për këtë lloj misioni kombëtar sepse në fakt jemi në luftë për mbijetesë të një Kosove me të ardhme shpresëdhënëse e jo të mbetur në baltën e historisë njerëzore.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!


Atë çfarë Erdogan e bëri pas ‘puçit’, Edi po e bën pas tërmetit

Atë çfarë Erdogan e bëri pas ‘puçit’, Edi po e bën pas tërmetit

“Sot ra pika kufitare e Morinit, pres që nga nesër punonjësit t’ia vënë vetë flakën”

“Sot ra pika kufitare e Morinit, pres që nga nesër punonjësit t’ia vënë vetë flakën”

Për të gjithë ata të cilët e kanë keqkuptuar, keqinterpretuar dhe keqtrajtuar mikpritjen për përfaqësuesen angleze

Për të gjithë ata të cilët e kanë keqkuptuar, keqinterpretuar dhe keqtrajtuar mikpritjen për përfaqësuesen angleze

Shtatorja e re e Heroit të Kombit Agim Ramadani-KATANA!

Shtatorja e re e Heroit të Kombit Agim Ramadani-KATANA!

Realiteti i hidhur, (R)Evolucioni Global

Realiteti i hidhur, (R)Evolucioni Global

Një fletëthirrje për të “zbardhur” keqpërdorimin e Haradinajt në Shqipëri

Një fletëthirrje për të “zbardhur” keqpërdorimin e Haradinajt në Shqipëri

Si mu hoqën KREDITË e Masterit në një konkurs të arsimit në komunën e Istogut!

Si mu hoqën KREDITË e Masterit në një konkurs të arsimit në komunën e Istogut!

Paradoksi zgjedhor ?!

Paradoksi zgjedhor ?!

Fitorja e dy opozitave në Kosovë dhe pikëpyetjet e bashkëjetesës së tyre

Fitorja e dy opozitave në Kosovë dhe pikëpyetjet e bashkëjetesës së tyre

Veseli në mediet amerikane: Kosova dhe SHBA-ja janë demokraci të bashkuara kundër korrupsionit

Veseli në mediet amerikane: Kosova dhe SHBA-ja janë demokraci të bashkuara kundër korrupsionit

Pse s’ska progres në Kosovë tash e sa palë zgjedhje?

Pse s’ska progres në Kosovë tash e sa palë zgjedhje?

Fondi i Ekselencës së Gjilanit, yrrnek për Fondin Nacional

Fondi i Ekselencës së Gjilanit, yrrnek për Fondin Nacional

Votoni gra

Votoni gra

Interesante retorika zgjedhore se kinse ‘Amerika është ajo që na ka zgjedhur

Interesante retorika zgjedhore se kinse ‘Amerika është ajo që na ka zgjedhur

Vitet e humbura

Vitet e humbura

Krasniqi: Mos bëni lojë me kufirin, nuk është pronë e asnjë individi

Krasniqi: Mos bëni lojë me kufirin, nuk është pronë e asnjë individi