Visar Ymeri: Qeverisja në Prishtinë, model krahasimi për komunat tjera

E publikuar: 23/03/2017 16:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka gjasa që ta marrë besimin e partisë për ta kërkuar një mandat të dytë në këtë pozitë, në zgjedhjet për kryetarë të komunave që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në intervistë për KALLXO.com ka numëruar një varg projektesh në kryeqytet në vitet e fundit për të cilat ai meritat ia ka dhënë vetë Ahmetit.

Sipas Ymerit, qeverisja e Ahmetit në Prishtinë ka sjellë “shumë punë të mira” të cilat, siç është shprehur ai, para vitit 2013 janë konsideruar të pamundura që të bëhen.

“Që prej ndaljes së ndërtimeve pa leje e deri te funksionalizmi shumë pozitiv i ndërmarrjeve publike, siç është rasti me trafikun urban, i cili me autobusët e rinj, që janë lëshuar së fundi në qarkullim. Jo veç që është funksionalizuar si ndërmarrje por i ka avancuar tej mase shërbimet që i jep qytetareve. Tjetra me lëshimin në përdorim të fabrikës së ujit që garanton ujë të pijshëm për qytetarët e Prishtinës”, tha Visar Ymeri për KALLXO.com.

Sipas tij, nëse deri në 2013 qytetarët vetëm kanë mundur të supozojnë për mënyrën e qeverisjes nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, ata sot e kanë një model.

“Mendoj që kjo jehonë e një qeverisje të tillë, do të jetë një jehonë jashtëzakonisht pozitive edhe për komunat tjera sepse tash qytetarët e komunave tjera do të kenë një model krahasimi. Pra nëse deri në 2013, vetëm kanë mundur të supozojnë se çka është mirë, tash edhe e shohin se çka është mirë dhe e kanë një mundësi krahasimi, se si është qeverisë komuna e tyre prej vitit 2013 e tutje dhe si është qeverisë Prishtina prej 2013 e tutje”, tha Ymeri.

Në këtë intervistë, Visar Ymeri foli edhe për iniciativën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’ia ndryshuar misionin Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke anashkaluar ndryshimet e kërkuara kushtetuese.

Ymeri tha së vërejtjet që i ka Vetëvendosjes për projektligjin për FSK-në do t’i bartin në Kuvendin e Kosovës por u shpreh se qasja e Presidentit Thaçi për këtë projektligj “është e dyshimtë dhe se po përdoret nga ai për fuqizim të personalitetit të tij”.