Visar Berisha: Votuesit e LDK-së po ikin në Vetëvendosje

E publikuar: 01/12/2015 00:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sonte i ftuar në intervistën “Ballë për Ballë” më Shkodran Gajrakun ka qenë i ftuar Visar Berisha nga Index Kosova.

Ai ka folur për sondazhin e fundit që ka bërë kjo kompani.

Sipas këtij hulumtimi ka dalë se kemi ndryshim sa i përket forcës së partive politike.

Sipas këtij sondazhi ka dalë të jetë zvogëluar LDK, e cila tash pozicionohet si forca e tretë në vend, e vendin e saj e ka zënë Lëvizja Vetëvendosje.
“Sipas gjitha gjasave votuesit e LDK-së, potencialisht kanë mundur të shkojnë në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata që kanë qenë të dyshimtë kanë shkuar kah ky subjekt”.

“Shihet që rënia e LDK reflektohet te rritja e VV-së”.

Berisha ka thënë se në zvogëlimin e besimit në LDK mund të ketë ndikuar edhe koalicioni i bërë me PDK-në.

“PDK ka 33%, që është edhe rezultati i përafërt me zgjedhjet e fundit, që tregon se ajo është stabile sa i përket votuesve”, ka thënë Berisha.

AAK sipas sondazhit të Index Kosova është po ajo e njëjta, vetëm se ka një rritje të vogël, e rënie ka NISMA e Fatmir Limjat dhe AKR e Behgjet Pacollit që kanë vetëm nga 2%.

“Edhe AAK ka një bazë të qëndrueshme, ajo ka shënuar një rritje të vogël. Kurse NISMA ka një rënie.
Margjina e gabimit është 3%. Partitë e vogla margjinalizohen për shkak të mostrës së vogël, ato në sondazhe dalin më të vogla, kurse në zgjedhje rritën”, ka thënë Berisha.

E këto rezultate kanë dalë nga 1024 persona të cilët kanë qenë pjesë e këtij sondazhi, transmeton Klan Kosova.