“Vijesti“ i Podgoricës publikon dëshminë rrëqethëse të krimeve të Zmajeviqit në Zhegër

E publikuar: 05/06/2019 22:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Arritëm deri te një shtëpi. Në oborr po qëndronin dy njerëz, ndërsa në ballkon një grua. Zmajeviqi rrotulloi shulin e pushkës deri në gjysmën e çarkut dhe fisheku doli jashtë. Isha rreth 15 metra larg tij. E pyeti njërin: ‘Dëshiron të të vras?’. ‘Po deshe më vrit!’ iu përgjigj ai… Vllada ngrehu çarkun e pushkës dhe e ndezi fishekun shpërthyes për pancir duke e qëlluar në stomak atë njeri dhe ai ra i vdekur. Burri tjetër luti: ‘Mos mua, mos mua!’. Por ai sërish ndezi fishekun duke e qëlluar edhe këtë në stomak. U shkaktua kaos. Nuk po mund e besoja”, publikon “Vjesti” i Podgoricës videodëshminë e dëshmitarit nga Zrenjanini, Damir B. Noviq, transmeton Koha.net.

Damir B. Noviqi nga Zrenjanini ka thënë se njeriu normal nuk mund ta bëjë atë që e bëri nikshiqasi Vllado Zmajeviqi.

Vllado Zmajeviqin Prokuroria Speciale e Podgoricës e ngarkonte se në cilësinë e ushtarit vullnetar kishte kryer krime lufte kundër popullsisë civile duke vrarë katër civilë në Zhegër të Kosovës më 30 mars të vitit 1999.

Ai në fshatin Dunav të Gjilanit vrau bariun Imer Kadriun derisa ai po ruante bagëtinë në një kullosë aty, dhe dy burra të tjerë dhe një grua në Zhegër gjatë luftës mes UÇK-së dhe Ushtrisë së Jugosllavisë, siç shkruan “Vijesti”.

Duke dëshmuar përmes një videolinku, Damir Noviq nga Zrenjanini dje para gjykatësit të kolegjit special, Drago Joviqit, në Gjykatën e Lartë të Podgoricës, tregoi se gjatë luftës më 1999 kishte qenë me Zmajeviqin në Kosovë, në fshatin Zhegër, në anën e kufirit me Shqipërinë… Zmajeviqi, tha ai, i kishte kërkuar të ktheheshin në fshat, sepse nuk i kishte pëlqyer të qëndronte në karakoll.

Noviqi ka shtuar se ishin të armatosur me pushkë e municion, “pancir shpërthyes”. Ka thënë se deri sa po ktheheshin me një “Opel Askona” kishin parë një djalë të ri me një qeskë në dorë, ndërsa Zmajeviqi kishte kërkuar që djaloshi të ndalej, duke i bërtitur të ndalonte. Djaloshi i frikësuar kishte ikur, por këta me veturë i ishin vënë pas. Siç ka shpjeguar dëshmitari, i pandehuri (bëhet fjalë për Zmajeviqin – sqarim ynë) me gishtin në çarkun e pushkës kishte dalë nga vetura dhe e kishte ndjekur djaloshin dhe pas 15 sekondash edhe dëshmitari ishte nisur pas tij.

“Arritëm deri te një shtëpi. Në oborr po qëndronin dy njerëz, ndërsa në ballkon një grua. Zmajeviqi rrotulloi shulin e pushkës deri në gjysmën e çarkut dhe fisheku doli jashtë. Isha rreth 15 metra larg tij. E pyeti njërin: “Dëshiron të të vras?”. “Po deshe më vrit!” iu përgjigj ai… Vllada ngrehu çarkun e pushkës dhe e ndezi fishekun shpërthyes për panciri duke e qëlluar në stomak atë njeri dhe ai ra i vdekur. Burri tjetër e luti: “Mos mua, mos mua!”. Por ai sërish ndezi fishekun duke e qëlluar edhe këtë në stomak. U shkaktua kaos. Nuk po mund të besoja. Tash 20 vjet e vras mendjen çfarë kishte ndodhur në kokën e tij. Pastaj këtë grua në këtë shtëpi e shtriu në krevat, nxori thikën dhe e qëlloi nëpër ballë. Në të gjitha anët shkonte çurgu i gjakut. E pyeta çfarë po bënte, ndërsa ai m’u përgjigj: “Ik po deshe të të mos vras edhe ty”. Më pyeti nëse e kisha parë kund atë djaloshin në shtëpi dhe unë i thashë, “jo! Djaloshin, me shikim dhe gjeste me sy e kokë i thashë të ikte dhe ai iku përmes dritares”, ka rrëfyer dëshmitari përmes videolinkut, përshkruan “Vijesti” i Podgoricës, ndërsa Koha.net e transmeton.

Ai ka shtuar se më vonë kishte marrë vesh se djaloshi në atë qeskë kishte ilaçe për xhaxhallarët.

“Më tha ta çoja me veturë deri në shtëpinë ku ndodheshin fëmijët, që t’i ‘therte të gjithë’. Pushkën dhe plumbin i kishte gati në grykë të pushkës, prandaj nuk munda t’ia rrëmbeja. Gjatë rrugës u takuam me ushtarët dhe u kërkuam ushqim. Na dhanë ca fetë mishi dhe buke. Ai me tehun e përgjakur e hapi konservën me mish dhe një copë të tij e nguli në thikë dhe ma dha ta ha. I thashë ‘Vllado, a je normal, së paku ke mundur ta pastrosh thikën’. Ai e mori thikën dhe e lëpiu gjakun duke shtuar: ‘Është më i shijshëm me gjak shqiptari’. Këtë nuk mund ta bëjë një njeri normal”, ka rrëfyer dëshmitari.

Dëshmitari ka shtuar se kishte dëgjuar se Zmajeviqi kishte vrarë edhe një bari dhe se i kishte mbytur gjithë tufën në një livadh.

Zmajeviqi, ndërkaq, sipas “Vijestit” në fillim të procesit gjyqësor kishte paraqitur gjithë mbrojtjen e tij dhe kishte mohuar fajësinë, duke refuzuar të përgjigjej në pyetjen e prokurores speciale, Lidija Vukçeviqin.

Mbrojtësi i Zmajeviqit, Sllavomir Bozhoviq, ka kundërshtuar dëshminë e Noviqit, duke theksuar se është i pabesueshëm, kundërthënës ndër veti dhe në kundërshtim me faktet materiale.

Prokuroria e ngarkonte Zmajeviqin se më 30 mars të vitit 1999 kishte vrarë Milazim e Qazim Hazirin, si dhe bashkëshorten e Qazimit në fshatin Zhegër. Është akuzuar se pas vrasjes kishte vjedhur edhe stolitë në shtëpinë e tyre.

Fillimisht Vllado Zmajeviq ishte ngarkuar edhe për vrasjen e Ukshin e Xhavait Ukshinit, si dhe të Shuqeri Tahirit, të cilëve pas vrasjes ua kishte vjedhur automjetin, por më vonë këto nuk ishin përfshirë në aktakuzë.

Ai, siç është raportuar gjatë ditës së sotme, është dënuar më 14 vjet burgim nga një gjykatë në Podgoricë, transmeton Koha.net.