Vija e dytë e kuqe e SHBA’ve: Mbrojtja e Kosovës nga shqiptarët

E publikuar: 02/12/2015 22:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mero Bazes:

Vija e dytë e kuqe e SHBA’ve për Kosovën

Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, iu desh të vinte sërish vijën e kuqe, për të mbrojtur Kosovën, këtë radhë nga shqiptarët. 23 vite pas ish Presidentit Xhorxh Bush, në vitin 1992, që i vuri Serbisë vijën e kuqe, nëse tentonte të prekte Kosovën, John Kerry i vuri klasës politike në Kosovë vijën e kuqe, se deri ku e kanë të lejuar, të degradojnë Kosovën.

Së pari ai deklaroi qartazi interesat e SHBA në Kosovë, duke e trajtuar atë një vend të cilin SHBA nuk do lejonte kurrë ti cenohej sovraniteti apo kufijtë e saj përmes Marrëveshjeve. Ky është një mesazh i qartë, i atyre që duan të bëjnë politikë me diplomacinë perëndimore ndaj Kosovës, e cila është në të vërtetë arsyeja përse u krijua dhe ekziston shteti i dytë shqiptar në Ballkan.

Së dyti i kërkoi qeverisë së Kosovës të bëj betejë me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë, si një rrezik për të ardhmen e një shteti funksional dhe me prespektivë integrimin në BE.

Së treti i bëri thirrje qeverisë të luftojë terrorizmin, i cili ka gjetur në Kosovë një truall të sigurt, duke e çuar Kosovën në krye të listës së vendeve që furnizojnë me ushtarë ISIS, nëse i llogarit për frymë të popullsisë.

Së katërti i bëri të qartë opozitës se nuk egzistojnë arsye të përdor gazin lotsjellës në Kuvend, por të zhvillojnë betejë politike normale, duke çmitizuar teoritë konspirative për një komplot të perëndimit kundër Kosovës, apo për një përpjekje për të rikthyer Kosovën nën Serbi, ndërkohë që NATO vuri dhe një bunker të ri të saj brenda ish Jugosllavisë, duke blinduar përfundimisht bregdetin e Adriatikut.

Mesazhet e Sekretarit të Shtetit, janë praktikisht një vijë e kuqe, që ai u ka vendosur politikanëve shqiptarë në Kosovë, përtej të cilës ata nuk duhet të kalojnë.

Pas kësaj vizite është mirë që secili të lexoj detyrimet e veta që ka ndaj Kosovës dhe ndaj makthit që u kanë krijuar qytetarëve të Kosovës, duke e çuar konfliktin deri në zhbërje të shtetit të Kosovës.

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një konfirmim i mbështetjes së tyre për Kosovën dhe një shenjë e moslodhjes së tyre me marrëzitë shqiptare. Vendi i cili është çliruar fal qartësisë së SHBA për ndërhyrje ajrore dhe krijimin e një koalicioni ndërkombëtar, po vë në pozitë të vështirë ndërkombëtare aleatin e tij më të madh, për shkak se vendi që ajo çliroi, po kthehet në një fidanishte terroristësh që po u bashkohen terroristëve të ISIS, dhe që po bëhen personazhe ndërkombëtare të terrorit, siç është rasti i ditës së djeshme me arrestimin e katër kosovarëve që kanë pasur në plan të bëjnë atentat ndaj Papës.

Në këtë pikë çdo forcë politike në Kosovë që tenton të të bëj politikë me frymën anti-perëndimore dhe teori komploti të Perëndimit ndaj Kosovës, do të bëhet një magnet i fuqishëm për njerëz që e urrejnë Perëndimin për arsye të tjera, siç janë përfaqësuesit e islamit politik dhe do ti bëjnë një dëm të madh Kosovës.

Kultivimi i urrejtjes ndaj Perëndimit dhe sidomos ndaj SHBA, për shkak të interesave të vogla politike të ditës, mund të sjellë aleanca të frikshme politike kundër atyre që e çliruan dhe e bën shtetin e Kosovës duke rrezikuar gjithçka. Patriot në Kosovë sot, nuk është ai që i tregon muskujt Perëndimit, në emër gjoja të Bashkimit Kombëtar por ai që i tregon kombit cilët janë miqtë dh e armiqtë e tij të vërtet. Dhe armiqtë tanë nuk janë perëndimorët dhe aleanca me ta, por ata që udhëheqin beteja kundër tyre.

Nga ana tjetër politikanët në Kosovë duhet të ndjehen përgjegjës për krijimin e një shteti të dështuar, i cili është kryeargumenti që kanë pasur armiqtë e Kosovës, kur Perëndimi krijoi dhe mbështeti Kosovën e lirë. Degradimi i Kosovës është një ushqim për izolimin ndërkombëtar të saj, dhe një paaftësi, që vë në vështirësi aleatët tanë perëndimorë. Patriot i vërtet në Kosovë është ai që bën krenarë miqtë e Kosovës për atë që bën për Kosovën dhe jo Ai, që u jep arsye armiqve të Kosovës, për të thënë që “kishim të drejtë”!

Së fundmi ata që duan të bëjnë politikë me teza gjeopolitike, duhet të kuptojnë se zgjerimi me arsye të qarta gjeopolitike i NATOS në Mal të Zi, janë një garanci e re që Perëndimi nuk do ta lëshoj Ballkanin, dhe kjo i bën dhe më të fort shqiptarët nëse dijnë të ruajnë aleancën e tyre me Perëndimin. Ata që bëjnë sikur duan më shumë bashkimin me Shqipërinë se SHBA, duhet ta kuptojnë se janë duke thënë se duan më shumë një vend të NATO, por nuk duan NATO, duan më shumë bashkimin me një vend pro amerikan, por nuk duan Amerikën. Pra thjesht janë duke bërë sofizma. Siguria kombëtare e shqiptarëve, është e garantuar nga aleanca e tyre me Perëndimin dhe jo nga çetat nacionalkomunste dhe vëllazëritë myslimane.

Është kjo arsyeja që Sekretari i Shtetit, u vuri sot një vijë të kuqe politikanëve shqiptarë në Kosovë, se deri ku mund të shkojnë me papërgjegjësinë e tyre ndaj Kosovës. Dhe s’ka më keq se sa 23 vite pas Presidentit Bush, dikush tjetër nga Uashingtoni, të heq për herë të dytë një vijë të kuqe, tani për ta mbrojtur Kosovën nga shqiptarët.